Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në disa qytete të Kosovës gjatë datave 1 dhe 2 nëntor 2026. Në shumicën e rasteve, të dyshuarit janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, një rast është raportuar në Lipjan, ku dy persona janë arrestuar pas një përleshjeje fizike që dyshohet se kishte ndodhur pas një mosmarrëveshjeje. Pas intervistimit, të dy janë liruar në procedurë të rregullt.
Një rast tjetër është regjistruar në Prishtinë, ku një person dyshohet se e kishte kanosur me thikë një grua. Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një thikë si dhe 0.36 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. I dyshuari është dërguar në mbajtje, transmeton Klankosova.tv.
Po ashtu, në Prishtinë, lidhur me një rast të raportuar më 1 nëntor, më 2 nëntor është arrestuar një person, i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Raste të tjera janë raportuar edhe në Pejë, Klinë dhe Gjakovë.
Në Pejë, një person dyshohet se kishte kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Sipas policisë, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Klinë, një person është arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje ndaj një gruaje dhe, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Gjakovë, një person është arrestuar nën dyshimin për ushtrim të dhunës në familje ndaj dy personave, një gruaje dhe një burri. Edhe në këtë rast, i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit./Klankosova.tv

