ETH Zurich po zhvillon një satelit të ri kërkimor, i cili synon të përmirësojë parashikimin e stuhive diellore dhe të ndihmojë në parandalimin e rreziqeve për satelitët në orbitën e Tokës. Misioni, i pagëzuar “Ethos”, pritet të nisë kontributin e tij në vitin 2030.
Sateliti i ri do të studiojë në detaje ndikimin e aktivitetit diellor në atmosferën e sipërme të Tokës, një proces që mund të shkaktojë ndryshime në orbitat e satelitëve dhe të rrisë rrezikun e përplasjeve me objekte të tjera hapësinore.
Sipas ETH Zurich, shpërthimet e fuqishme diellore ngrohin atmosferën e sipërme dhe shkaktojnë zgjerimin e saj. Si pasojë, satelitët në orbitën e ulët të Tokës përballen me rezistencë më të madhe atmosferike, çka i ngadalëson, u ul lartësinë dhe mund t’i largojë nga trajektorja e planifikuar, raporton Watson.
Aktualisht, shkencëtarët mund të parashikojnë vetëm me një shkallë të caktuar saktësie reagimin e atmosferës ndaj aktivitetit diellor. Përmes misionit “Ethos”, studiuesit synojnë të kuptojnë më mirë këto procese dhe të përmirësojnë modelet e parashikimit të motit hapësinor.
Sateliti do të ketë një peshë prej rreth 25 deri në 30 kilogramësh dhe do të pajiset me disa instrumente shkencore. Ato do të matin energjinë e emetuar nga Dielli, përfshirë rrezet X dhe rrezatimin ekstrem ultravjollcë gjatë shpërthimeve diellore.
Instrumente të tjera do të monitorojnë ndryshimet në jonosferë, shtresën e atmosferës së sipërme të Tokës që përmban grimca të ngarkuara elektrikisht, si dhe do të përcaktojnë me saktësi të lartë orbitën e vetë satelitit.
Të dhënat do të ndihmojnë edhe kërkimin mbi klimën
Duke kombinuar matjet, studiuesit synojnë të përcaktojnë se si ndryshimet në aktivitetin diellor ndikojnë në jonosferë, dendësinë e atmosferës së sipërme dhe rezistencën që ajo ushtron ndaj satelitëve, transmeton Telegrafi.
Të dhënat e mbledhura pritet të ndihmojnë në përmirësimin e parashikimeve të motit hapësinor dhe t’u mundësojnë operatorëve të satelitëve të marrin paralajmërime më të hershme për ndryshimet e mundshme orbitale.
Përveç këtij objektivi, “Ethos” do të kontribuojë edhe në vazhdimësinë e matjeve afatgjata të rrezatimit diellor. Disa misione ekzistuese që monitorojnë këtë aktivitet pritet të përfundojnë funksionimin rreth vitit 2030, ndërsa sateliti i ri është projektuar për të ndihmuar në vijimin e këtyre serive të të dhënave pa ndërprerje.
Sipas ETH Zurich, këto matje kanë rëndësi jo vetëm për studimin e motit hapësinor, por edhe për kërkimet mbi klimën.
Projekti po zhvillohet në bashkëpunim mes ETH Zurich, Observatorit Fiziko-Meteorologjik të Davosit, Universitetit të Bernës dhe Institutit Federal Zviceran të Teknologjisë në Lozanë (EPFL).
Institucionet akademike janë përgjegjëse për zhvillimin e instrumenteve shkencore, ndërsa ndërtimi dhe furnizimi me satelitin do të realizohet nga një kompani komerciale./Telegrafi/

