KORREKT / SOT3 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

“Mblidhnin vota për SNS-në e Vuçiqit”, avokati Niniq ngre kallëzim penal ndaj tetë zyrtarëve të BIA-s

“Mblidhnin vota për SNS-në e Vuçiqit”, avokati Niniq ngre kallëzim penal ndaj tetë zyrtarëve të BIA-s

Avokati serb Ivan Niniq ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë për Krimin e Organizuar (TOK) kundër drejtorit të Agjencisë për Informim të Sigurisë (BIA), Vladimir Orliq, dhe shtatë zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe përfshirje në një sistem të organizuar për sigurimin e votave për Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Niniq bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social X se kallëzimi penal lidhet me pretendimet për vendosjen e një detyrimi pune ndaj punonjësve të BIA-s, të cilët, sipas tij, janë angazhuar për mbledhjen e të ashtuquajturave “vota kapilare” për SNS-në, duke përdorur formularë të kësaj partie.

Kallëzimi penal përfshin tetë persona: drejtorin e BIA-s, Vladimir Orliq; kreun e Qendrës Rajonale të BIA-s në Kragujevac, Aleksandar Petrić; zëvendësin e tij, Milorad Marinković; ndihmëskreun Raca Munjiq; kreun e Qendrës Territoriale në Kragujevac, Milosh Ivanoviq; zëvendësin e tij, Darko Çurçiq; kreun e Qendrës Territoriale në Smederevë, Zoran Çertiq; si dhe kreun e degës në Paraçin, Aleksandar Simiq.

Sipas pretendimeve të paraqitura në kallëzim, personat e përfshirë dyshohet se, në Beograd, Kragujevac, Smederevë dhe Paraqin, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, duke tejkaluar kompetencat ligjore dhe duke vepruar si grup i organizuar kriminal, me qëllim sigurimin e votave për SNS-në.

Avokati Niniq u ka bërë thirrje edhe punonjësve të BIA-s që kanë informacione ose prova për këtë sistem, që t’ia dorëzojnë ato Prokurorisë për Krimin e Organizuar, si plotësim të kallëzimit penal që ai ka paraqitur.

“U bëj thirrje të gjithë anëtarëve të ndershëm të BIA-s – atyre që nuk janë pjesë e një grupi të organizuar kriminal dhe që zotërojnë informacione ose prova lidhur me sistemin e mbledhjes së ‘votave kapilare’ brenda BIA-s dhe qendrave të saj rajonale – t’i dorëzojnë të gjitha këto të dhëna në Prokurorinë për Krimin e Organizuar”, deklaroi Niniq.

Ai kishte paralajmëruar më herët se do të dorëzonte kallëzim penal ndaj një ministri, një drejtori dhe personave të tjerë, duke pretenduar se sistemi i sigurimit të votave për SNS-në funksiononte përmes tabelave të nënshkruara, koordinatorëve, komunikimeve në Viber, detyrave specifike dhe raporteve të punës.

Përveç akuzave lidhur me BIA-n, Niniq ka ngritur edhe dyshime për presion dhe mobilizim të punonjësve të burgjeve në Serbi për të marrë pjesë në tubimet e mëdha të SNS-së.

Sipas tij, drejtorët dhe punonjësit e burgjeve, të cilat janë nën autoritetin e Ministrisë së Drejtësisë, kishin detyrim të përpilonin lista të pjesëmarrësve, të vishnin bluza të caktuara dhe të bënin fotografi në grup, si dëshmi të pjesëmarrjes dhe besnikërisë ndaj partisë në pushtet.

Niniq ka publikuar fotografi që, sipas tij, dëshmojnë pjesëmarrjen e këtyre punonjësve në tubimet e SNS-së, si dhe ka bërë të ditur se ka dorëzuar dokumentacion që lidhet me komunikimet ndërmjet drejtuesve të partisë dhe drejtorëve të burgjeve, përfshirë urdhra për angazhim shtesë në funksion të sigurimit të votave.

Ndryshe, i akuzuari për spiunazh në Kosovë, Fehim Sali, po ashtu ishte pjesë e angazhimit për të siguruar vota për SNS-në e Vuçiqit.

Sipas prokurorisë, ai nuk ka kryer vetëm veprime informuese për Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), por ka qenë i angazhuar në Kosovë edhe për qëllime elektorale.

Në një audioincizim, dëgjohet se si Sali i ofronte informacione zyrtarit të lartë të BIA-s, Zhelimir Matoviq, lidhur me regjistrimin e personave nga komuniteti goran në Kosovë në listën zgjedhore dhe angazhimin e tij që të njëjtit të votojnë presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe partinë e tij, në zgjedhjet e vitit 2024./Telegrafi.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.