E ardhmja e Erling Haalandit te Manchester City mund të varet edhe nga zhvillimet jashtë fushës së lojës.
Babai i sulmuesit norvegjez, Alfie Haaland, ka folur për situatën e klubit anglez dhe nuk ka përjashtuar mundësinë që të ketë ndryshime në të ardhmen.
Haaland ka kontratë me Cityn deri në vitin 2034, por mbi klubin vazhdon të rëndojë çështja e 115 shkeljeve të pretenduara të rregullave financiare të Premier League.
Alfie Haaland, në një intervistë për median franceze “Foot Mercato”, ka theksuar se fillimisht duhet pritur përfundimi i procedurave të apelit.
“Duhet të presim procedurat e apelit. Gjërat mund të ndryshojnë shpejt, prandaj duhet të shohim se cili do të jetë vendimi përfundimtar”, u shpreh ai.
Megjithatë, babai i sulmuesit theksoi se Manchester City beson në pafajësinë e tij dhe se vetë Erling është i përqendruar vetëm te futbolli.
Norvegjezi ka nisur në mënyrë fantastike sezonin, duke realizuar nëntë gola në nëntë ndeshjet e para të Premier League. /Zëri

