Qeveria e Kosovës ka prezantuar të hënën projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove.
Kryeministri Albin Kurti tha se projektbuxheti i vitit të ardhshëm është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.
Sipas Kurtit, nga shuma e përgjithshme e projektuar, 908 milionë euro do të ndahen si financim direkt për komunat e Kosovës.
Gjatë prezantimit, Kurti vlerësoi se rritja e vazhdueshme ekonomike ka ndikuar në zgjerimin e buxhetit dhe në qëndrueshmërinë e financave publike.
Ai bëri të ditur se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.
“Kjo na vendos te vendet me rritjen më të shpejtë në rajon dhe më gjerë. Kjo nënkupton edhe rritjen në vazhdimësi të buxhetit dhe qëndrueshmërinë e financave publike”, deklaroi Kurti.
Kryeministri tha gjithashtu se në projektbuxhetin për vitin 2027, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) parashihet të mbledhë të hyra në vlerë sa 60 për qind e atyre që do t’i mbledhë Dogana e Kosovës.
Kurti e cilësoi projektbuxhetin si rekord edhe për komunat, duke theksuar se rritja e financimit për pushtetin lokal vjen si rezultat i rritjes së vazhdueshme të granteve qeveritare.
Pas miratimit në Qeveri, projektligji për buxhetin e vitit 2027 duhet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim./Telegrafi/

