Kryetari i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq, dhe zëvendësi i tij, Srgjan Popoviq, u takuan sot në ambientet e Grupit Parlamentar të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës me shefin e Zyrës së Bashkimit europian në Kosovë, ambasadorin Dirk Shubel.
Lista Serbe tha se gjatë takimit “u diskutua për raportin e ardhshëm të Komisionit Europian për progresin e Kosovës, i cili së shpejti do t’i prezantohet publikut, si dhe për situatën aktuale politike dhe pozitën e popullit serb në Kosovë”.
“Përfaqësuesit e Listës Serbe shprehën bindjen se në raportin e ardhshëm të Komisionit Europian vëmendje e veçantë do t’i kushtohet pozitës së vështirë të popullit serb, sfidave të shumta me të cilat ai përballet çdo ditë, si dhe nevojës për angazhim më të fuqishëm të institucioneve dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, të drejtave civile dhe politike të serbëve”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.
Në takim u tha se “u diskutua edhe për ligjet e reformave europiane”, për të cilat Kuvendi i Kosovës do të debatojë në periudhën e ardhshme, si dhe për “rëndësinë e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të popullit serb në proceset e vendimmarrjes dhe zbatimit të reformave”, sipas Listës Serbe.
“Në këtë kontekst, u theksua veçanërisht rëndësia e faktit që Bashkimi Europian, në procesin e reformave europiane, por edhe në jetën politike në këto hapësira, e njeh Listën Serbe si një partner të rëndësishëm dhe konstruktiv”, thuhet në komunikatë.
Lista Serbe tha se “mbetet e përkushtuar ndaj veprimit konstruktiv politik, bashkëpunimit me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe përfaqësimit të vazhdueshëm të interesave të popullit serb, duke këmbëngulur se çdo proces reformues dhe politik duhet t’i marrë parasysh të drejtat, nevojat dhe interesat legjitime të serbëve”.

