Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka njoftuar se është shqiptuar një gjobë mandatore prej 1,000 eurosh ndaj një personi përgjegjës për hapjen ilegale të një rruge në Bjeshkën e Lybeniqit.
Sipas njoftimit të saj, pas pranimit të informacioneve për ndërhyrjen ilegale në këtë zonë, zyrtarët e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, në bashkëpunim me Policinë, kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Ndaj punëkryesit është hartuar procesverbal dhe është shqiptuar gjoba në vlerë prej 1,000 eurosh. Sipas Pacollit, ky është rasti i dytë i evidentuar në të njëjtin lokacion.
Për rastin është njoftuar edhe Prokuroria, ndërsa pritet të ndërmerren hapa të mëtejshëm ligjorë.
Pacolli ka theksuar se nuk do të lejohen ndërhyrje të tilla që dëmtojnë natyrën dhe se mbrojtja e Bjeshkëve të Nemuna do të bëhet përmes të gjithë mekanizmave ligjorë. /Telegrafi/

