Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve në Bërvenicë, duke bërë thirrje për uljen e tensioneve politike dhe rikthimin te dialogu e bashkëpunimi.
Përmes një statusi në Facebook, Mexhiti deklaratat nxitëse gjatë dhe pas fushatës i cilësoi si “folklor politik”, duke theksuar se zgjedhjet kanë përfunduar dhe se qytetarët kanë shprehur lirshëm vullnetin e tyre përmes votës.
Ai theksoi se asnjë subjekt politik nuk mund t’i konsiderojë votat si pronë të vetën, ndërsa kritikoi edhe qasjen e të qenit kundër të gjithëve.
“Deklaratat nxitëse gjatë fushatës i kam konsideruar si folklor parazgjedhor. Në po atë frymë, deklaratat polarizuese që dëgjova mbrëmë dhe sot i trajtoj folklor paszgjedhor. Votat janë shprehje e lirë e vullnetit të qytetarëve dhe askush nuk i ka në pronësi ato. Në politikë, pozicionimi kundër të gjithëve nuk është strategji që çon drejt suksesit, por një qasje që herët a vonë prodhon zhgënjim.Në demokracitë multietnike nuk guxon të ekzistojë ndarje në ‘ne’ dhe ‘ata’, sepse kjo implikon pabarazi dhe tendenca për të suprimuar tjetrin”.
“Dialogu dhe bashkëpunimi në çdo shoqëri janë imperativ dhe parakusht për funksionim të mirëfilltë. Në shoqëritë multietnike, ky dialog është detyrim i të gjithë aktorëve shoqërorë. Prandaj, nuk kemi pse të merremi me folklorin e zakonshëm postzgjedhor, me arsyetimet dhe interpretimet që u serviren qytetarëve sa herë që rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë e dikujt. Qytetarët vendosin me votë, ndërsa politika duhet të dijë të marrë përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e veta”, ka shkruar Mexhiti.

