Kalimi i më shumë kohës në dritë natyrale gjatë ditës mund të lidhet me rrezik më të ulët të demencës, sipas një studimi të kryer me 87,577 të rritur në Britaninë e Madhe.
Pjesëmarrësit u ndoqën për më shumë se tetë vjet, ndërsa rezultatet u publikuan në revistën General Psychiatry.Gjatë studimit, pjesëmarrësit mbajtën për shtatë ditë një pajisje në kyçin e dorës, e cila regjistronte sasinë e dritës ndaj së cilës ekspozoheshin. Gjatë periudhës së ndjekjes, 741 prej tyre u diagnostikuan me demencë.Personat që ekspozoheshin mesatarisht ndaj më shumë se 1,000 luks drite gjatë ditës kishin rreth 16 për qind më pak rrezik për demencë, krahasuar me ata që qëndronin në ambiente me ndriçim më të dobët.
Ndërsa ata që kalonin të paktën 42 minuta në ditë në dritë prej 5,000 luks ose më shumë kishin rreth 17 për qind rrezik më të ulët.
Shkencëtarët mendojnë se kjo lidhje mund të shpjegohet me ritmin cirkadian, orën e brendshme të trupit që ndikohet nga alternimi i dritës dhe errësirës dhe rregullon gjumin, sjelljen dhe funksionet njohëse.
Çrregullimet e këtij ritmi janë të zakonshme te personat me demencë.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për një studim vëzhgues, ndaj rezultatet nuk dëshmojnë se mungesa e dritës shkakton demencë.
Sipas tyre, kalimi i më shumë kohës jashtë gjatë ditës mund të jetë një mënyrë e thjeshtë për të mbështetur shëndetin e trurit, por nevojiten kërkime të tjera.

