Dogana e Kosovës ka arkëtuar 186.6 milionë euro të hyra gjatë muajit tetor 2026, duke shënuar rritje prej 5.9 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur të hyrat kishin arritur në 176.2 milionë euro.
Sipas njoftimit të Doganës, gjatë muajit tetor janë realizuar edhe një sërë aktivitetesh të rëndësishme, përfshirë eksportin e parë në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pas hyrjes në zbatim të plotë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA.
Po ashtu, në kuadër të luftimit të kontrabandës, Sektori i Antikontrabandës ka parandaluar futjen e 121 telefonave celularë pa dokumentacion përkatës.
Një tjetër zhvillim ishte organizimi i punëtorisë së parë ndërkombëtare për vlerësimin doganor në Kosovë, në kuadër të Customs Programme, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të DG TAXUD.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin në forcimin e kontrolleve doganore, luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme, lehtësimin e tregtisë dhe mbrojtjen e interesave financiare të vendit. /Lajmi.net/
Postimi i plotë:

