KORREKT / SOT1 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

Muzeu Arkeologjik Kombëtar, institucioni i parë muzeor i krijuar në Shqipëri

Muzeu Arkeologjik Kombëtar, institucioni i parë muzeor i krijuar në Shqipëri

78 vjet më parë, më 1 nëntor 1948 u hap Muzeu Arkeologjik Kombëtar.

Muzeu Arkeologjik Kombëtar është institucioni i parë muzeor i krijuar në Shqipëri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai u themelua në një periudhë kur vendi po përpiqej të rindërtonte jo vetëm infrastrukturën e tij, por edhe kujtesën historike dhe identitetin kulturor.

Fillimisht muzeu u organizua si Muze Arkeologjik-Etnografik, duke bashkuar në një institucion të vetëm dëshmitë materiale të qytetërimit dhe traditës shqiptare.

Hapja e Muzeut Arkeologjik-Etnografik më 1 nëntor të vitit 1948 ishte rezultat i përpjekjeve të brezit të parë të arkeologëve shqiptarë për krijimin e institucioneve kombëtare të studimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Një rol të rëndësishëm në krijimin dhe zhvillimin e këtij institucioni, si dhe në konsolidimin e arkeologjisë shqiptare, patën arkeologët Hasan Ceka, Selim Islami, Skënder Anamali dhe Frano Prendi. Ata kontribuuan në ngritjen e kërkimit arkeologjik shkencor në vend.

Hapja e këtij muzeu shënoi një moment të rëndësishëm për studimet arkeologjike dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare. Në vitet pasuese, ai u shndërrua në qendrën kryesore të grumbullimit, studimit dhe ekspozimit të objekteve arkeologjike të zbuluara në territorin e Shqipërisë, duke pasqyruar zhvillimin e qytetërimeve që kanë banuar në këto troje që nga prehistoria e deri në Mesjetë.

Në vitin 1976, pavijoni etnografik u veçua dhe institucioni mori profil të mirëfilltë arkeologjik, duke u organizuar si Muze Arkeologjik Kombëtar. Që prej asaj kohe, muzeu ka vijuar të jetë një nga institucionet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, i lidhur ngushtë me kërkimin shkencor dhe veprimtarinë e arkeologëve shqiptarë.

Muzeu Autonom Arkeologjik pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë mbetet një dëshmi e gjallë e historisë së lashtë të Shqipërisë dhe një pikë referimi për njohjen e qytetërimeve ilire, greko-romake, bizantine dhe mesjetare, duke ruajtur e promovuar vlerat e pasurisë sonë arkeologjike për brezat e ardhshëm./atsh

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.