Halloween është një festë që shënohet çdo vit më 31 tetor dhe njihet për kostumet e frikshme, maskat, kungujt e gdhendur dhe dekorimet me simbole të ndryshme të frikës.
Origjina e kësaj feste lidhet me festivalin e lashtë keltik të quajtur “Samhain”, i cili shënonte fundin e sezonit të korrjeve dhe fillimin e dimrit. Sipas besimeve të asaj kohe, gjatë kësaj nate kufiri mes botës së të gjallëve dhe asaj të të vdekurve bëhej më i hollë.
Me kalimin e kohës, tradita u ndërthur me festimet e krishtera dhe u zhvillua në Halloween-in që njohim sot, transmeton Klankosova.tv.
Kjo festë është veçanërisht e popullarizuar në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar, por vitet e fundit është përhapur edhe në shumë vende të tjera.
Një nga traditat më të njohura është “Trick or Treat”, ku fëmijët vishen me kostume të ndryshme dhe shkojnë derë më derë duke kërkuar ëmbëlsira. Ndërsa kungulli i gdhendur, i njohur si “Jack-o'-lantern”, është një nga simbolet më karakteristike të kësaj feste.

