KORREKT / SOT31 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

Nga tërheqja e tre këngëtarëve deri te pengimi i gazetarit, çfarë nuk u pa në “Akordet e Kosovës”?

Nga tërheqja e tre këngëtarëve deri te pengimi i gazetarit, çfarë nuk u pa në “Akordet e Kosovës”?

Festivali i Këngës në RTK nisi të premten edicionin e katërt, tashmë me emrin e rikthyer “Akordet e Kosovës”. Por, përtej shkëlqimit të skenës dhe atmosferës festive, organizimi u shoqërua edhe me disa zhvillime që nuk u panë nga publiku.

Pak minuta para nisjes së festivalit, gazetari dhe redaktori i Zërit, Albert Limani, i akredituar për ta përcjellë nga afër ngjarjen, u përball me kufizime në ushtrimin e detyrës. Producentja ekzekutive dhe drejtori artistik i festivalit i kërkuan vazhdimisht të largohej nga prapaskena dhe ta ndiqte festivalin nga salla, duke ia pamundësuar realizimin e intervistave dhe marrjen e përshtypjeve nga këngëtarët dhe pjesëmarrësit e tjerë në atë hapësirë.

Situata nisi në prapaskenën e festivalit, ku producentja ekzekutive, Edona Kasapoilli, iu afrua gazetarit duke e pyetur se “përse po qëndron këtu!?”. Limani i shpjegoi se ishte i akredituar dhe se synonte të merrte përshtypjet e këngëtarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë.

Megjithatë, producentja insistoi që ai të largohej nga prapaskena dhe ta ndiqte festivalin nga salla, duke i thënë se “këtu na pengon”.

Gazetari kundërshtoi këtë kërkesë, duke sqaruar se akreditimi për media nuk nënkupton vetëm të drejtën për ta ndjekur një ngjarje nga pozita e publikut, por edhe mundësinë për të raportuar nga hapësirat e përcaktuara për punën e gazetarëve dhe për të realizuar intervista me pjesëmarrësit.

Kërkesë të ngjashme për largimin e tij nga prapaskena pati edhe drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku., ndërsa gazetari ia kujtoi që viteve të kaluar e ka ndjekur festivalin dhe nuk ka pasur kërkesa të tilla.

Kjo sjellje ishte e habitshme, pasi Limani thotë se njihet nga të gjithë organizatorët për shkak të ndjekës së vazhdueshme të tri edicioneve të kaluara të festivalit, por edhe për angazhimin e tij në festivalin evropian të këngës “Eurovision”, duke u shprehur I habitur nga sjellja e Kasapollit dhe Boshnjakut.

Për situatën, Limani njoftoi edhe drejtoreshën e festivalit, Arta Avdiu, e cila njëkohësisht është drejtoreshë e televizionit, por ajo, për shkak të angazhimeve në ato momente, nuk ndërmori ndonjë veprim.

Po ashtu lidhur me rastin, gazetari ka njoftuar edhe zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Rilind Gërvalla, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka marrë ndonjë reagim apo përgjigje lidhur me situatën.

Tre këngëtarë garues nuk u ngjitën mbrëmë në skenë

Një tjetër zhvillim që mund t’i ketë shpëtuar vëmendjes së publikut është largimi i tre këngëtarëve nga gara e “Akordeve të Kosovës”.

Në fillim, kur u publikua lista e pjesëmarrësve, Art Lokaj, Niki Selmanaj dhe Khuba ishin në mesin e artistëve që do të konkurronin në festival. Madje, deri para nisjes së edicionit, RTK-ja kishte paralajmëruar se në garë do të ishin 20 këngëtarë. Megjithatë, në natën e parë të festivalit u prezantuan vetëm 17 prej tyre, por kjo nuk u përmend as gjatë natës së parë.

“Zëri” ka mësuar se Art Lokaj, Niki Selmanaj dhe Khuba janë tërhequr nga gara dhe për këtë arsye nuk u ngjitën në skenë mbrëmë.

Nga tre artistët, vetëm Khuba ka bërë publike arsyet e tërheqjes, duke njoftuar se vendimi lidhet me gjendjen e tij shëndetësore. Ndërkaq, dy këngëtarët e tjerë nuk kanë dhënë publikisht ndonjë shpjegim për largimin nga gara.

Pavarësisht arsyeve të tërheqjes, organizatorët do të duhej ta informonin publikun për ndryshimin e listës së garuesve. Transparenca dhe përgjegjësia ndaj publikut kërkojnë që ndryshime të tilla të bëhen të ditura, veçanërisht kur bëhet fjalë për një festival që paraprakisht kishte prezantuar 20 emra si pjesëmarrës.

Kjo ishte gjithashtu një nga çështjet për të cilat gazetari i “Zërit”, Albert Limani, synonte të merrte sqarime nga organizatorët, por, siç u përshkrua më lart, atij iu kufizua mundësia për të realizuar intervista dhe për të marrë deklarata në prapaskenën e festivalit.

Kujtojmë se Festivali i Këngës në RTK financohet nga Ministria e Kulturës, e cila për këtë vit dhe dy vitet e ardhshme ka ndarë mbi 1.2 milion euro për organizimin e tij.

Festivali sot vazhdon me natën e dytë sonte ku edhe do të shpallen fituesit, ndërsa më 1 nëntor do të mbahet mbrëmja për fëmijë. /Zëri

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.