Ambasada Gjermane në Kosovë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës organizojnë një mbrëmje kushtuar poezisë shqipe dhe përkthimit të saj në gjuhën gjermane.
Në këtë aktivitet do të marrin pjesë emra të njohur të letërsisë dhe përkthimit.
Një mbrëmje kushtuar poezisë shqipe, përkthimit dhe dialogut ndërkulturor do të organizohet më 4 nëntor 2026, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Aktiviteti me temën “Poezi dhe Përkthim | Letërsi Shqipe në Gjermanisht” do të nisë në orën 18:00 dhe synon të promovojë poezinë në gjuhën shqipe, si dhe rrugëtimin e saj përmes përkthimit në gjermanisht.
Në këtë mbrëmje do të marrin pjesë autorët Dr. Blerina Rogova-Gaxha dhe Arben Idrizi, si dhe përkthyesja e njohur Dr. Zuzana Finger. Diskutimet dhe leximet letrare do të moderohen nga Dr. Blerta Ismajli.
Përveç leximeve dhe diskutimeve me autorët, programi do të përfshijë edhe muzikë live dhe një pritje për të pranishmit.
Aktiviteti do të zhvillohet në gjuhën shqipe dhe gjermane, duke krijuar një hapësirë komunikimi mes dy kulturave dhe duke promovuar letërsinë shqipe përtej kufijve gjuhësorë, transmeton Telegrafi.
Mbrëmja organizohet nga Ambasada Gjermane në Kosovë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, me mbështetjen e TRADUKI-t.
Përmes këtij aktiviteti synohet të forcohen lidhjet kulturore mes Kosovës dhe hapësirës gjermanofolëse, si dhe të promovohet letërsia shqipe përmes përkthimit dhe dialogut artistik./Telegrafi/

