KORREKT / SOT30 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

SHQK-ja kërkon themelimin e Fondit Garantues: Synohet përpunimi i 180 milionë kg qumësht vendor

SHQK-ja kërkon themelimin e Fondit Garantues: Synohet përpunimi i 180 milionë kg qumësht vendor

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka propozuar krijimin e një Fondi Garantues për Qumështoret e Kosovës, përmes të cilit synohet rritja e kapaciteteve përpunuese, modernizimi i industrisë së qumështit dhe mbështetja e prodhimit vendor.

Përmes një postimi publik, Shoqata ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Bujqësisë dhe institucionet financiare që të ndërmarrin hapa konkretë për krijimin e këtij mekanizmi financiar, i cili do t’u mundësonte qumështoreve vendore të realizojnë investime të reja dhe të rrisin kapacitetet e përpunimit.

Sipas propozimit, fondi do të mundësonte garantimin e deri në 70 për qind të principalit të kredive investive, ndërsa bankat financuese do të mbanin të paktën 30 për qind të ekspozimit ndaj rrezikut të kredisë.

Investimet e mbështetura përmes këtij mekanizmi do të përfshinin zgjerimin dhe modernizimin e kapaciteteve përpunuese, blerjen e pajisjeve për pranimin, ftohjen dhe ruajtjen e qumështit, laboratorët e kontrollit të cilësisë, si dhe linjat e reja të prodhimit dhe paketimit.

Një nga objektivat kryesore të propozuara nga Shoqata është që qumështoret e Kosovës të përgatiten për përpunimin e 180 milionë kilogramëve qumësht nga fermat vendore.

Në këtë drejtim, Shoqata thekson se rritja e prodhimit vendor nuk duhet të pengohet nga mungesa e kapaciteteve përpunuese dhe financimit, duke kërkuar një sistem funksional që përfshin të gjitha hallkat e zinxhirit, nga fermeri dhe grumbullimi i qumështit deri te përpunimi industrial dhe tregu.

Shoqata kërkon edhe kritere të veçanta për përzgjedhjen e përfituesve të fondit. Sipas propozimit, përparësi duhet të kenë qumështoret që nuk kanë përdorur vaj palme në produktet e tyre, nuk kanë aplikuar për leje të posaçme për rikthimin e përdorimit të tij dhe kanë respektuar të drejtat e konsumatorëve dhe detyrimet ndaj fermerëve.

Në dokument theksohet gjithashtu nevoja për verifikim të veçantë të qumështoreve që kanë përdorur vaj palme apo kanë aplikuar për leje të posaçme për përdorimin e tij. Për këto raste kërkohen dëshmi për ndërprerjen e përdorimit, dokumentacion mbi pajisjet e financuara me fonde publike, etiketimin e produkteve dhe respektimin e obligimeve ndaj fermerëve.

Një tjetër kërkesë e rëndësishme është mbrojtja e fermerëve vendorë. Përfituesit e fondit, sipas propozimit, duhet të paraqesin plane konkrete për furnizimin me qumësht vendor dhe të dëshmojnë përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj prodhuesve të qumështit.

Shoqata propozon gjithashtu themelimin e një grupi të përbashkët pune, ku do të përfshiheshin Qeveria e Kosovës, Ministria e Bujqësisë, institucionet financiare dhe përfaqësuesit e industrisë së qumështit. Ky grup do të kishte për detyrë të përcaktonte modelin e administrimit, burimet e financimit dhe mënyrën e zbatimit të fondit.

Sipas Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës, krijimi i Fondit Garantues duhet të trajtohet si një instrument strategjik për zhvillimin e bujqësisë dhe industrisë vendore, me synim rritjen e prodhimit dhe përpunimit të qumështit, sigurinë për fermerët dhe fuqizimin e konkurrueshmërisë së produkteve vendore.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.