Tre persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë lënduar nga rrëzimi i një helikopteri të EUFOR-it në fshatin Gorice, pranë Brçkos, në Bosnjë e Hercegovinë. Të gjithë të vdekurit dhe të lënduarit nga rrëzimi i helikopterit të EUFOR-it janë shtetas italianë.
Një nga të lënduarit është në rrezik për jetën dhe pritet të transferohet në Qendrën Klinike Universitare në Tuzëll.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Qendrës Shëndetësore të Brçkos, Jasmin Mehanoviq.
Pas aksidentit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekipet e policisë, zjarrfikësve dhe urgjencës mjekësore, ndërsa zona përreth është siguruar.
Ndërkohë, në media është publikuar edhe një video që shfaq momentet pak para rrëzimit të helikopterit.
EUFOR-i ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur të enjten, gjatë një operacioni rutinë në zonën e Brçkos.
“EUFOR-i mund të konfirmojë se sot, gjatë një operacioni rutinë në zonën e Brçkos, ka ndodhur një aksident, në të cilin është rrëzuar një prej mjeteve të tij ajrore”, thuhet në njoftimin e këtij misioni, raporton klix.
Sipas EUFOR-it, nga aksidenti nuk është dëmtuar infrastruktura civile, prona apo automjetet, ndërsa nuk ka civilë të lënduar.
Misioni ka bërë të ditur se ka nisur një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe se informacione të tjera do të publikohen pasi të konstatohen faktet.
Në fund, EUFOR-i u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin përhapjen e dezinformatave dhe të mbështeten vetëm në njoftimet zyrtare. /Telegrafi/

