Gunta Sloga, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Baltike për Ekselencë në Media, ka bërë thirrje për bashkëpunim më të madh ndërmjet vendeve baltike dhe Ballkanit Perëndimor në luftën kundër dezinformimit rus dhe në mbrojtje të shoqërive demokratike.
Në një intervistë për The Geopost, gjatë konferencës më të madhe evropiane për dezinformimin, të mbajtur në Vilnius të Lituanisë, Sloga paralajmëroi se Rusia synon të polarizojë shoqëritë, të thellojë përçarjet dhe të ndikojë në opinionin publik.
Ajo theksoi se vendet që përballen me kërcënime të ngjashme duhet të bashkërendojnë përpjekjet dhe të forcojnë qëndrueshmërinë ndaj ndërhyrjeve dhe fushatave të dezinformimit.
Sipas Slogas, gazetaria e pavarur dhe verifikimi i fakteve janë thelbësore për t’iu kundërvënë përhapjes së informacionit të rremë. Ajo vuri në pah edhe nevojën për komunikim më efektiv me audiencën, veçanërisht në rrjetet sociale, ku përmbajtjet mashtruese mund të përhapen me shpejtësi.
Sloga paralajmëroi gjithashtu se inteligjenca artificiale po e lehtëson gjithnjë e më shumë krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve mashtruese, duke shtuar sfidat për mediat dhe shoqëritë demokratike.
Duke folur për Kosovën, ajo theksoi se institucionet e forta, zhvillimi ekonomik dhe një shoqëri civile aktive janë faktorë të rëndësishëm për t’i bërë ballë ndikimit të jashtëm. Sloga u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos frikësohen nga retorika e presidentit rus, Vladimir Putin, për Kosovën, por të qëndrojnë të përkushtuar ndaj pavarësisë së vendit.
“Nuk jeni vetëm”, ishte mesazhi i Slogas për Ballkanin Perëndimor. Ajo theksoi se solidariteti dhe bashkëpunimi rajonal janë thelbësorë për t’iu kundërvënë propagandës ruse dhe për të mbrojtur shoqëritë demokratike./TheGeoPost/
– YouTube www.youtube.com

