Teherani ka marrë një letër nga zëvendës-presidenti amerikan JD Vance, por ende nuk është përgjigjur, njoftoi të enjten agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim”, e cila ka lidhje me shtetin.
Vance ia dërgoi letrën Mohsen Rezaei-t, sekretarit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, raportoi “Tasnim”, pa zbuluar përmbajtjen e saj.
Në raport thuhet se Teherani mbetet i palëkundur në kërkesën e tij që Shtetet e Bashkuara të përmbushin shtatë kushte të vendosura nga Irani, duke shtuar se çdo qëndrim që minon këtë kornizë do të ishte i papranueshëm.
Të mërkurën, gazeta “Wall Street Journal” raportoi se Vance kishte kontaktuar Rezaei-n në një përpjekje për të ringjallur bisedimet e paqes dhe për të shmangur sulme të reja ushtarake amerikane ndaj Iranit.
Letra u dërgua me udhëzim të presidentit Donald Trump, raportoi “Journal”.
Sipas gazetës, letra dhe diskutimet pasuese midis zyrtarëve amerikanë dhe iranianë u përqendruan në vendosjen e një kornize për negociata, e jo në detajet specifike të një marrëveshjeje të mundshme paqeje, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Lufta, e nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli në fund të shkurtit, ka ndërprerë rëndë dërgesat e energjisë dhe ka shkaktuar pasoja ekonomike në shkallë globale.
Irani ka bllokuar efektivisht ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore jetike përmes së cilës më parë kalonte rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Që nga fillimi i konfliktit, Teherani ka sulmuar në mënyrë të përsëritur anijet që përpiqeshin të kalonin nëpër ngushticë pa autorizimin e tij.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur një bllokadë detare të porteve iraniane, në një përpjekje për të intensifikuar presionin ekonomik ndaj Teheranit.
“Journal” raportoi gjithashtu të mërkurën se Uashingtoni kishte paralajmëruar disa vende të rajonit që të përgatiten për një “fushatë ushtarake të shkurtër dhe intensive” të mundshme kundër Iranit, pas zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA më 3 nëntor.
Megjithatë, Trump nuk kishte marrë ende një vendim përfundimtar nëse do të niste një operacion të tillë, raportoi gazeta, duke cituar persona të informuar mbi diskutimet.
Ushtria iraniane ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet çdo sulmi të ri me një kundërpërgjigje më të gjerë; Rezaei deklaroi se objektivat e mundshme mund të përfshijnë infrastrukturën e lidhur me SHBA-në, qendrat e të dhënave dhe objekte të tjera që lidhen me inteligjencën artificiale. /Telegrafi/

