Kompania Sony ka prezantuar kontrollorët e rinj transparentë DualSense për konsolën PlayStation 5, të cilët rikthejnë stilin e njohur të pajisjeve teknologjike nga fundi i viteve 1990 dhe fillimi i viteve 2000, kur dizajni transparent ishte veçanërisht i popullarizuar.
Koleksioni i ri, i quajtur Prism Collection, do të jetë i disponueshëm në tri ngjyra: portokalli, jeshile dhe gri.
Kontrollorët kanë një sipërfaqe transparente me shkëlqim, e cila shtrihet edhe në pjesën e pasme, duke u mundësuar përdoruesve të shohin disa nga komponentët e brendshëm dhe teknologjinë që mundëson funksionimin e DualSense.
Përfaqësues të kompanisë kanë thënë se synimi ishte rikthimi i trendit ikonik të dizajnit transparent nga fundi i viteve 1990, por në një formë moderne që përshtatet me pamjen e konsolës PS5.
Përveç kontrollorëve, koleksioni përfshin edhe kapakë për konsolën PS5, të disponueshëm në të njëjtat tri ngjyra. Megjithatë, ndryshe nga kontrollorët, kapakët nuk janë plotësisht transparentë dhe nuk mundësojnë shikimin e komponentëve të brendshëm të konsolës.
Porositë paraprake do të hapen më 10 nëntor 2026, ndërsa lansimi i produkteve është planifikuar për 4 shkurt 2027. Datat dhe disponueshmëria mund të ndryshojnë në varësi të shtetit dhe rajonit.
Sa i përket çmimeve, kontrollorët DualSense do të kushtojnë 84,99 dollarë, ndërsa kapakët për konsolën PS5 do të shiten për 74,99 dollarë në tregun amerikan.
Sony kishte filluar prezantimin e kontrollorëve transparentë që në epokën e konsolës së parë PlayStation (PS1). Që atëherë, ky dizajn është rikthyer në gjenerata të ndryshme të konsolave, ndërsa tani do të jetë pjesë edhe e PS5. /Telegrafi/

