Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka thënë se nuk ka pasur për qëllim ta ofendojë apo ta cenojë Anita Muçaj-Haradinajn, pas deklaratës së saj se kishte dëgjuar që ish-kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte ushtruar dhunë në familje.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Fejza ka deklaruar se fjalët e saj ishin bazuar në informacione që, sipas saj, kishin qarkulluar në media. Ajo ka theksuar se qëllimi i diskutimit të saj ishte të nënvizonte se dhuna mund të shfaqet në çdo pjesë të shoqërisë dhe se ndaj saj duhet të ketë reagim në çdo rast.
“Është nga informatat të cilat kanë qarkulluar nëpër media. Theksi i kritikës sime gjatë diskutimit ka qenë që nuk ka asnjë hapësirë shoqërore e cila është imune ndaj dhunës dhe se ne duhet të reagojmë në secilën rrethanë dhe për secilin rast. Në asnjë moment unë nuk kam pasur qëllim ta ofendoj apo ta cenoj në çfarëdo mënyre zonjën Muçaj-Haradinaj dhe nuk do të doja që fjalët e mia të kuptoheshin si një qëndrim kundër saj, sepse asnjëherë s’ka qenë qëllimi”, ka thënë Fejza.
E pyetur për deklaratat e shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili iu kundërpërgjigj në Kuvend, Fejza ka folur për angazhimin institucional në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
Ajo ka rikujtuar se Kuvendi ka miratuar një rezolutë për këtë çështje dhe se është themeluar edhe Komisioni Hetimor, në të cilin, sipas saj, do të vazhdojë angazhimi i deputetëve të Vetëvendosjes.
Fejza ka thënë se synimi i tyre mbetet sigurimi i drejtësisë për rastin konkret dhe për të gjitha gratë që përballen me dhunë. Ajo ka shtuar se Komisioni për Barazi Gjinore ka përfshirë në planin e punës monitorimin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna, me qëllim të identifikimit të hallkave ku mund të ketë dështime institucionale.
Ndërkaq, ditë më parë, Fejza kishte deklaruar në një emision në KTV se kishte dëgjuar që Ramush Haradinaj kishte ushtruar dhunë në familje, pa paraqitur fakte për këtë pretendim.
Pas kësaj deklarate, Anita Muçaj-Haradinaj i kishte kërkuar deputetes ta tërhiqte atë, të distancohej dhe të kërkonte falje publike, duke e cilësuar deklaratën si shpifje dhe akuzë të pabazë.
Në një reagim në Facebook, Muçaj-Haradinaj kishte thënë se deklarata cenon dinjitetin dhe reputacionin e saj dhe të familjes, ndërsa kishte paralajmëruar se, nëse nuk ka tërheqje dhe kërkimfalje publike, do t’u drejtohet organeve kompetente dhe do të ndjekë rrugët ligjore. /Lajmi.net/

