Një anije greke transportuese kontejnerësh është fundosur pasi u godit nga dronë detarë në pjesën perëndimore të Detit të Zi, pranë bregdetit të Bullgarisë, ka njoftuar qeveria bullgare.
Anija “CONTSHIP JET”, e cila lundronte nën flamurin e Liberisë dhe transportonte 421 kontejnerë, pësoi dëme të rënda pasi u godit nga tre dronë detarë.
Sulmi ndodhi të martën, brenda zonës ekskluzive ekonomike të Bullgarisë, por jashtë ujërave të saj territoriale, transmeton Telegrafi.
Të gjithë anëtarët e ekuipazhit, përkatësisht 14 shtetas filipinas dhe katër ukrainas, arritën të shpëtoheshin. Nuk është raportuar për viktima në mesin e tyre.
Bullgaria, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka kërkuar ndihmë për forcimin e sigurisë përgjatë bregdetit të saj në Detin e Zi, pas një serie sulmesh me dronë ndaj anijeve tregtare në këtë zonë.
Incidentet e përsëritura kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e transportit detar dhe rrezikun që lufta të ndikojë në lundrimin pranë vendeve anëtare të NATO-s.
Fundosja e anijes është një tjetër incident që vë në pah kërcënimet në rritje ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi, një zonë strategjike për transportin dhe tregtinë ndërkombëtare. /Telegrafi/

