KORREKT / SOT29 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Gjykata Supreme e kthen në rivendosje çështjen penale ndaj Valon Lluka, ai mbetet në paraburgim

Gjykata Supreme e kthen në rivendosje çështjen penale ndaj Valon Lluka, ai mbetet në paraburgim

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka aprovuar pjesërisht kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit Valon Lluka, lidhur me çështjen penale ndaj tij.

Sipas përgjigjes së Gjykatës Supreme për lajmi.net, kërkesa kishte të bënte me aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Çështja penale ndaj Lluka-s përfshin veprat penale “Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga Komuniteti Ndërkombëtar”, “Mashtrimi”, “Lidhja e kontratës së dëmshme” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata Supreme ka vendosur që çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.

Megjithatë, sipas përgjigjes së Gjykatës Supreme, i pandehuri mbetet në paraburgim deri në marrjen e një vendimi të ri nga gjykata e shkallës së parë.

“Lidhur me kerkesen tuaj, ju njoftojme se Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës, në çështjen penale ndaj të pandehurit V.L., për shkak të veprave penale “Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga Komuniteti Ndërkombëtar”, nga neni 325, të KPRK-së, “Mashtrimi”, nga neni 323 të KPRK-së, “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 285 të KPRK-së, dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, nga 318 të KPRK-së, duke vendosur lidhur me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurit, paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, pjesërisht ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit. Çështja i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rivendosje. I pandehuri ka mbetur në paraburgim deri në marrjen e një vendimi të ri nga gjykata e shkallës së parë”, kanë thënë nga Gjykata Supreme për lajmi.net.

Valon Lluka është arrestuar më 7 tetor 2026 nga Policia e Kosovës.

Lajmin e kishte konfirmuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, të cilët kanë thënë se ai dyshohet për “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” dhe “Lidhja e kontratës së dëmshme”.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, nga neni 323, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, nga neni 318, “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 284, si dhe veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lidhur me rastin në fjalë, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurimit ndaj të pandehurit”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

Dy ditë pas arrestimit, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj.

Në vitin 2025, Valon Lluka u shkarkua nga posti i administratorit të shoqërisë koncesionare të Aeroportit të Vlorës, pas një konflikti me kompaninë “Mabco Construction”, të lidhur me Behgjet Pacollin.

Në atë kohë, Lluka pretendoi se kishte refuzuar të nënshkruante një dokument që, sipas tij, do ta bënte shoqërinë koncesionare garantuese për një kredi prej 100 milionë eurosh.

Nga ana tjetër, Pacolli e akuzoi publikisht ish-bashkëpunëtorin e tij për keqpërdorim të detyrës dhe përvetësim fondesh, pretendime që Lluka i mohoi.

Përplasja mes tyre vijoi edhe gjatë vitit 2026. Në gusht, Pacolli akuzoi Llukën për përfshirje në raste të dyshuara abuzimi, duke përmendur pagesa prej mbi 1.5 milionë eurosh.

Ai ngriti gjithashtu pretendime për një tjetër rast, që sipas tij kishte ndodhur në vitin 2025, kur nga kompanitë e Grupit Mabetex ishin kryer pagesa prej rreth 1.6 milionë eurosh drejt një kompanie në Abu Dhabi, për shërbime që, sipas Pacollit, nuk ishin realizuar.

Pacolli pretendoi se ndaj Llukës po zhvilloheshin hetime edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, lidhur me aktivitetet e tij në Mabetex.

“Për mashtrimet rreth Aeroportit të Vlorës, shpresoj se do të trajtohen nga gjykatat e Tiranës pa anshmëri. Në Kosovë po ashtu shpresoj të tregojë drejtësia (ashtu si në Emiratet e Bashkuara) dhe t’i hetojnë deri në fund të gjitha këto raste dhe të përcaktojnë përgjegjësinë ligjore për dëmin e shkaktuar nga këto veprime ilegale”, shkruante Pacolli.

Pas largimit nga kompania koncesionare e Aeroportit të Vlorës, Lluka krijoi shoqërinë e investimeve “Investia Holding”, ku mbante pozicionin e kryetarit dhe bashkëthemeluesit.

Ndërkohë, me vendimin e fundit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, biznesmeni do të qëndrojë në paraburgim për një muaj, ndërsa hetimet për veprat penale për të cilat dyshohet vijojnë. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.