KORREKT / SOT29 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Sánchez premton masa të rrepta nëse konstatohen dështime të sigurisë pas aksidentit hekurudhor në Toledo

Sánchez premton masa të rrepta nëse konstatohen dështime të sigurisë pas aksidentit hekurudhor në Toledo

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka premtuar një reagim të vendosur nëse hetimet zbulojnë dështime në sistemet e sigurisë hekurudhore, pas një aksidenti tragjik në të cilin humbën jetën 68 persona. Ai tha se e gjithë Spanja është në zi dhe shprehu solidaritetin me familjet e viktimave dhe të lënduarit.

“Jetë të shkatërruara, familje të thyera”, deklaroi Sánchez, duke përshkruar pasojat e tragjedisë, transmeton Telegrafi.

Kryeministri theksoi se përparësi e qeverisë është kujdesi për viktimat dhe familjarët e tyre, gjetja e sa më shumë të mbijetuarve dhe sigurimi i mbështetjes praktike dhe psikologjike për të prekurit.

Ai vlerësoi gjithashtu punën e ekipeve të emergjencës dhe të Mbrojtjes Civile, si dhe bashkëpunimin mes institucioneve të përfshira në operacion, përfshirë qeverinë rajonale, këshillin provincial të Toledos dhe komunat e Toledos dhe Los Yébenes.

Një tjetër prioritet, sipas Sánchez-it, është zbardhja e plotë e rrethanave të aksidentit. Komisioni për Hetimin e Aksidenteve Hekurudhore dhe gjykatat po punojnë për të përcaktuar shkakun, ndërsa edhe Ministria e Transportit po heton ngjarjen. Ministri i Transportit kishte raportuar më herët për një “gabim” dhe rrethana që i cilësoi si “të pashpjegueshme”.

Sánchez paralajmëroi se qeveria do të reagojë me vendosmëri nëse konfirmohen mangësi në sistemet e sigurisë.

Aksidenti ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e rrjetit hekurudhor spanjoll, pasi në janar dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën në rajonin jugor të Andaluzisë, pasi njëri doli nga shinat dhe kaloi në linjën ngjitur. Në atë aksident humbën jetën 46 persona.

Hetimet për ngjarjen e janarit vazhdojnë, ndërsa qeveria e majtë është përballur me kritika për mënyrën se si ka menaxhuar sistemin hekurudhor të vendit.

Duke iu referuar aksidentit në Adamuz, Sánchez tha se është “e papranueshme” që Spanja të përballet me dy tragjedi të tilla hekurudhore brenda të njëjtit vit. Ai u zotua se do të punohet për rikthimin e besimit të publikut te siguria e trenave dhe te transporti publik.

Presidenti i rajonit të Kastiljes-La Mançës, Emiliano García-Page, konfirmoi se numri i viktimave ka arritur në 68. Sipas tij, shërbimet shëndetësore kanë trajtuar 53 persona, 15 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.

García-Page falënderoi institucionet për koordinimin dhe rajonet e tjera të Spanjës për vënien në dispozicion të burimeve të tyre për përballimin e emergjencës.

Ndërkohë, Sánchez shpalli tri ditë zie zyrtare në Spanjë në nderim të viktimave. Deklaratën e tij e bëri pa iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. /Telegrafi/

– YouTube www.youtube.com

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.