Filmi “Hana”, me regji të Ujkan Hysajt, do të jepet premierë të martën, më 3 nëntor, në Kinema “Jusuf Gërvalla” në Pejë, në orën 19:00.
Filmi i parë i gjatë i Hysajt do të shfaqet për katër mbrëmje radhazi, nga 3 deri më 6 nëntor, çdo ditë duke filluar nga ora 19:00. Shfaqja e 6 nëntorit do të jetë e fundit.
“Hana” rrëfen historinë e Sarës, një aktore që i bashkohet një programi të terapisë përmes artit në një qendër rehabilitimi për gra në Kosovë. Ajo i ndihmon të mbijetuarat ta shndërrojnë dhimbjen në art, por, teksa njihet me rrëfimet e tyre, përballet edhe me traumën e saj të shtypur nga lufta, të lidhur me të atin dhe me identitetin e saj tjetër, Hanën.
Në film interpretojnë Sheqerie Buçaj, Ilire Vinca, Refet Abazi dhe Ermin Bravo. Skenari është shkruar nga Fadil Hysaj, ndërsa muzika është realizuar nga Memli Kelmendi.
Filmi zgjat 90 minuta, është në gjuhën shqipe dhe serbe, me titra në anglisht.
Biletat kushtojnë 3 euro dhe mund të rezervohen online përmes platformës së Kinemasë “Jusuf Gërvalla”, të sigurohen në telefonin 038 749 235 ose të blihen në arkën e kinemasë. /Telegrafi/

