Lëvizja e mbështetur nga studentët në Serbi, e cila sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare ka mposhtur Partinë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit, ka nisur aksionet për pastrimin e hapësirave publike, ndërsa përgatitet të formojë qeverinë e re.
Fitorja vjen pas dy vitesh protestash, të cilat nisën pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në vitin 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Të hënën, studentët dhe qytetarët iu bashkuan një aksioni për pastrimin e një parku pranë ndërtesës së Presidencës në Beograd. Hapësira ishte zënë për më shumë se një vit nga një kamp i ngritur nga mbështetësit e qeverisë.
Brenda disa orësh, parku u pastrua dhe këndi i lojërave u bë sërish i përdorshëm për fëmijët, shkruan france24.
Dhjetëra qytetarë morën pjesë në pastrimin e një tuneli në qendër të Beogradit, muret e të cilit ishin mbushur me mbishkrime nga palët kundërshtare politike.
Ndër mbishkrimet e shfaqura nëpër qytet ishin “Siptar”, “FCK BLK”, dhe “FCK SNS”.
Grafiti i parë përdoret për fyerjen dhe nënçmimin e shqiptarëve.
I dyti u drejtohej protestuesve, të cilët autoritetet i kishin cilësuar si bllokues, ndërsa i treti shënjestronte Partinë Progresive Serbe të Vuçiqit.
Ndërkohë, rezultatet paraprake të zgjedhjeve tregojnë se lista e mbështetur nga studentët ka siguruar mbi 52 për qind të votave, që përkthehen në rreth 140 nga 250 ulëset në parlament. Ky rezultat do t’i mundësonte asaj të qeveriste e vetme.
Megjithatë, lëvizja duhet të presë certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe konstituimin e parlamentit, përpara se të formojë qeverinë dhe të emërojë kryeministrin.
Fitorja e saj shënon fundin e 14 viteve të qeverisjes së SNS-së, ndërsa sfida e radhës mbetet formimi i institucioneve të reja. /Telegrafi/

