Të martën, Apple prezantoi MacBook Pro të ri 14-inç, që fuqizohet nga çipi i saj më i fundit, M6.
MacBook Pro-ja e re ofron 24 orë jetëgjatësi baterie dhe tashmë mbështet lidhjet Wi-Fi 7 dhe Bluetooth 6.
Laptopi fillon me një çmim prej 1,999 dollarësh dhe është i disponueshëm në ngjyrat “space black” (e zezë hapësinore) dhe argjendtë.
Apple njoftoi gjithashtu iMac-un e saj më të ri, i cili gjithashtu fuqizohet nga çipi M6.
Gjiganti teknologjik i prezantoi pajisjet e reja vetëm një ditë para eventit të tij “Pro and Tell”, të planifikuar për të mërkurën.
Të hënën, Apple njoftoi edhe iPad mini-n e ri.
Sipas gjigantit teknologjik, çipi M6 përmban një procesor (CPU) me 12 bërthama – që përfshin bërthamën më të shpejtë në botë – si dhe një njësi përpunimi grafik (GPU) me 12 bërthama.
Kjo mundëson një performancë më të shpejtë në reagim, grafikë deri në 30% më të shpejtë dhe përpunim të detyrave të inteligjencës artificiale (AI) deri në 25% më të shpejtë krahasuar me çipin M5.
Apple thekson se çipi M6 ofron një shpejtësi përpunimi për kërkesat e modeleve të mëdha gjuhësore (LLM) deri në 13 herë më të lartë se MacBook Pro-ja me çipin M1, si dhe një performancë deri në 1.3 herë më të shpejtë se modeli me çipin M5.
MacBook Pro-ja me çipin M6 vjen me 16 GB memorie të unifikuar (të përbashkët), e cila mund të zgjerohet deri në 32 GB, dhe ofron një gjerësi brezi të memories deri në 170 GB/s – një rritje krahasuar me 153 GB/s te çipi M5.
Ashtu si modelet e mëparshme, laptopi është i pajisur me një kamerë 12-megapikselëshe.
MacBook Pro-ja me çipin M6 mbështet karikimin e shpejtë, duke arritur deri në 50% të kapacitetit të baterisë brenda 30 minutave, kur përdoret një përshtatës energjie USB-C me fuqi të lartë dhe të përputhshëm.
Sa i përket iMac-ut të ri me çipin M6, ai vjen me një procesor (CPU) dhe njësi grafike (GPU) më të shpejta, duke përfshirë përshpejtues nervorë (Neural Accelerators) të integruar në çdo bërthamë.
Apple deklaron se çipi M6 mundëson një përvojë të rrjedhshme gjatë kryerjes së detyrave të shumta (multitasking) dhe ofron performancë të fuqishme për aplikacionet e përditshme, redaktimin e fotove dhe prodhimin e videove.
iMac-u i ri fillon nga 1.499 dollarë dhe vjen në ngjyrë blu, jeshile, rozë, të verdhë, vjollcë, portokalli dhe argjendtë.
Kompania gjithashtu thekson se iMac-u i ri ofron performancë të inteligjencës artificiale (AI) në pajisje deri në pesë herë më të shpejtë krahasuar me modelin M4.
Ai vjen me një ekran Retina 4.5K prej 24 inçësh, një sistem të avancuar kamerash dhe audioje, aksesorë në ngjyra të përshtatura me pajisjen, si dhe sistemin operativ macOS 27.
Si MacBook Pro-ja i ri, ashtu edhe iMac-u, mund të porositen paraprakisht duke filluar nga 28 tetori dhe do të jenë të disponueshëm nga 6 nëntori. /Telegrafi/

