Zgjedhjet parlamentare në Izrael nuk kanë prodhuar një shumicë të qartë, duke lënë të hapur garën për formimin e qeverisë së re mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe rivalit të tij, Gadi Eisenkot.
Sipas sondazheve dalëse, dy blloqet kryesore pritet të sigurojnë nga 51 mandate, ndërsa një sondazh i Channel 12 i jep bllokut të Netanyahut 52 ulëse. Për formimin e qeverisë nevojiten të paktën 61 nga 120 mandatet e parlamentit izraelit, transmeton Klankosova.tv.
Netanyahu bëri thirrje për krijimin e një qeverie të fortë të djathtë, ndërsa Eisenkot deklaroi se votuesit kanë kundërshtuar vazhdimin e mandatit të kryeministrit dhe i kërkoi atij të largohet nga politika.
Partitë arabe mund të ndikojnë në negociatat për koalicionin, por Eisenkot ka përjashtuar pothuajse plotësisht mundësinë e bashkëpunimit me to.
Pjesëmarrja në votime arriti në 77.7 për qind, niveli më i lartë në më shumë se dy dekada, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Rezultatet përfundimtare pritet të publikohen të enjten ose të premten. Nëse asnjëri kamp nuk siguron shumicën, Izraeli mund të përballet me negociata të gjata politike ose me zgjedhje të reja.

