Në pamjet e publikuara nga media të huaja thuhet se tregohet momenti kur një nënë e shtatë fëmijëve buzëqesh me ironi, ndërsa hedh pa asnjë turp pelena, pako ushqimesh dhe peceta higjienike në kopshtin fqinj.
Sufina Aslam, 42 vjeçe, e ka vënë në shënjestër shtëpinë e fqinjit të saj në Yardley, Birmingham, në mënyrë të vazhdueshme për një periudhë shtatëvjeçare, shkruajnë mediat britanike, përcjell Telegrafi.
Pamje tronditëse, të publikuara këtë javë por të regjistruara më herët gjatë këtij viti, tregojnë nënën duke zbrazur vazhdimisht qese plehrash në një kopsht që ishte tashmë i mbushur me mbeturina.
Në pamje të tjera, ajo shihet duke hedhur tiganë të mbushur me vaj në pronën fqinje, ndërsa buzëqesh me krenari teksa vështron mbi gardh.
Në një gjykatë në Birmingham u bë e ditur se fqinjët e Aslam nuk patën zgjidhje tjetër veçse të shpenzonin para për të pastruar rrëmujën dhe për të riparuar dëmet në shtëpinë e tyre.
Nëna e shtatë fëmijëve u deklarua fajtore për dy akuza për ngacmim dhe një akuzë për shkelje të një urdhri ndalimi, por shpëtoi pa u dënuar me burg.
Në vend të kësaj, Aslamit iu caktua një urdhër mbikëqyrjeje intensive 12-mujore.
Ndërsa një nga viktimat, një 50-vjeçare e cila preferoi të mbetet anonime, u shpreh në një deklaratë mbi pasojat e ngjarjes se fushata e ngacmimeve nga ana e Aslamit i kishte shkaktuar netë pa gjumë. /Telegrafi/

