KORREKT / SOT27 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Kur rrugët e Unai Simon u kryqëzuan me Kosovën: Nga goli spektakolar i Besar Halimit, te çmimi Yashin

Kur rrugët e Unai Simon u kryqëzuan me Kosovën: Nga goli spektakolar i Besar Halimit, te çmimi Yashin

Unai Simon është ngjitur në majën e futbollit botëror, duke fituar trofeun Yashin në ceremoninë e Topit të Artë 2026.

Portieri i Spanjës, kampion bote dhe fitues i çmimit për portierin më të mirë të Kampionatit Botëror, ka përjetuar një ngritje të jashtëzakonshme ndër vite.

Megjithatë, një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij lidhet edhe me Kosovën, kur Besar Halimi e ndëshkoi me një goditje spektakolare nga distanca. Ajo ndeshje e zhvilluar para pesë vitesh ishte mbyllur 3-1 për Spanjën. Kosova dhe Spanja, janë takuar dy herë, në kualifikimet për Kampionatin Botëror dhe Spanja kishte fituar dy ndeshjet, ndërsa Dardanët shënuan vetëm një herë, ai gol i Halimit, ndërsa pranuan pesë sosh.

Sot, Simon vlerësohet si më i miri në botë, ndërsa Halimi është rikthyer në Kosovë për të veshur fanellën e Dritës, dy drejtime diametralisht të kundërta.

Nga një gabim i paharruar te maja e futbollit botëror

Në futboll, karriera e një lojtari ndërtohet përmes paraqitjeve të mëdha, trofeve dhe momenteve që mbeten në kujtesën e tifozëve. Por, për portierët, ekziston edhe një anë tjetër e këtij rrugëtimi: gabimet, të cilat shpeshherë mbeten po aq të paharrueshme sa pritjet vendimtare.

Unai Simon e njeh mirë këtë realitet. Portieri spanjoll, i lindur më 11 qershor 1997 në Vitoria-Gasteiz, është shndërruar ndër vite në një prej figurave kryesore të Kombëtares së Spanjës dhe të klubit Athletic Bilbao.

Ai debutoi me ekipin e parë të Athletic në gusht të vitit 2018, ndërsa me Kombëtaren spanjolle debutoi më 11 nëntor 2020.

Unai Simon gjatë Kupës së Botës 2026

Që atëherë, Simon është bërë një prej emrave më të rëndësishëm të gjeneratës së re të futbollit spanjoll. Ai ka qenë pjesë e skuadrës që fitoi Kampionatin Evropian dhe Ligën e Kombeve, ndërsa kulmin e arriti në vitin 2026, kur Spanja u shpall kampione e botës. Në këtë turne, portieri spanjoll u dallua edhe individualisht, duke fituar çmimin për portierin më të mirë të Botërorit, pas një serie mbresëlënëse prej 650 minutash pa pësuar gol.

Të hënën, më 26 tetor, erdhi një tjetër vlerësim i madh për karrierën e tij. Simón fitoi trofeun Yashin në ceremoninë e Topit të Artë 2026, duke u shpallur portieri më i mirë i vitit nga revista France Football. Ky çmim e vendos atë në mesin e portierëve më të vlerësuar të futbollit botëror dhe i jep një tjetër vulë një viti të jashtëzakonshëm.

Megjithatë, mes gjithë këtyre sukseseve, ekziston edhe një episod që tifozët e Kosovës e kujtojnë me kënaqësi: goli i Besar Halimit në ndeshjen e zhvilluar në Sevilje, më 31 mars 2021.

Simon, më i mirë në Kupën e Botës 2026

Goli i Besar Halimit që e ndëshkoi Simonin

Kosova dhe Spanja u përballën në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2022, në një ndeshje ku vendasit fituan 3-1. Spanjollët kishin krijuar epërsi prej dy golash që në pjesën e parë, falë realizimeve të Dani Olmos në minutën e 34-t dhe Ferran Torresit vetëm dy minuta më vonë.

Në pjesën e dytë, Kosova u përpoq të reagonte dhe momenti i saj më i bukur erdhi në minutën e 70-të. Simon, që njihet si portier që luan mirë me këmbët , doli larg portës për të ndërhyrë dhe për të ndihmuar skuadrën e tij në ndërtimin e lojës, por humbi kontrollin e topit. Besar Halimi reagoi shpejt, e mori topin dhe, pa u menduar gjatë, goditi nga distanca, duke e dërguar në rrjetë.

Momenti kur Besar Halimi ia ‘vjedh’ topin Unai Simonit

Ishte një gol spektakolar, që i dha Kosovës shpresë për të rikthyer emocionet në ndeshje. Për disa çaste, goli i Halimit e ndryshoi atmosferën e përballjes dhe i bëri futbollistët dardanë të besonin se mund të arrinin diçka më shumë ndaj një prej përfaqësueseve më të forta të Evropës.

Por gëzimi i Kosovës zgjati vetëm pesë minuta. Gerard Moreno shënoi për 3-1 dhe Spanja e ruajti epërsinë deri në fund. Megjithatë, goli i Halimit mori vëmendje edhe përtej Kosovës, pasi ishte një realizim i veçantë ndaj një portieri që njihet për lojën me këmbë dhe daljet larg vijës së portës.

Pas ndeshjes, Halimi kishte folur për emocionet që i solli goli dhe shpresën që u dha tifozëve.

“Jam shumë i lumtur që kam shënuar atë gol, që i kam dhënë pak shpresë të gjithëve. Por jemi të dëshpëruar, sepse ato pesë minuta pas golit kishim më shumë shpresa”, ishte shprehur mesfushori.

Momenti i goditjes së Besar Halimit nga 40 metra

Ai kishte pranuar gjithashtu se Spanja ishte në një nivel shumë të lartë dhe se për Kosovën ishte e vështirë të luante ndaj një kundërshtari të tillë.

Pesë vjet e gjysmë më vonë, karriera e dy protagonistëve ka marrë kahe të ndryshme. Simón është shpallur portieri më i mirë në botë, ndërsa Halimi është rikthyer në futbollin kosovar, duke nënshkruar me Dritën e Gjilanit në shtator të vitit 2026.

Për mesfushorin 31-vjeçar, ky është një kapitull i ri pas përvojave në disa kampionate evropiane dhe në Marok.

Unai Simon, besnik ndaj një klubi të vetëm

Një prej veçorive më interesante të karrierës së Unai Simónit është lidhja e tij me Athletic Bilbaon. Në një futboll ku ndryshimet e klubeve janë të shpeshta dhe transferimet e mëdha janë pjesë e përditshmërisë, portieri spanjoll e ka ndërtuar karrierën e tij në nivelin e parë pikërisht te klubi bask.

Simon iu bashkua akademisë së Athleticut në sezonin 2011/12, kur ishte pjesë e grupmoshës U16. Pas disa vitesh zhvillimi, ai arriti te ekipi i parë dhe debutoi në gusht të vitit 2018.

Që nga ajo kohë, Athletic është bërë shtëpia e tij në futbollin profesionist, ndërsa portieri është shndërruar në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.

Unai Simon, zemra e Athletic Bilbaos

Me paraqitjet e tij, ai ka ndihmuar Athleticun të fitojë trofe dhe të rikthehet në mesin e skuadrave konkurruese të futbollit spanjoll. Në sezonin 2023/24, Simon fitoi trofeun Zamora, i cili i jepet portierit me mesataren më të mirë të golave të pësuar në La Liga.

Ai ishte një prej figurave kryesore edhe në sukseset e Spanjës, përfshirë triumfin në Kampionatin Evropian dhe në Ligën e Kombeve.

Në nivel ndërkombëtar, karriera e tij ka përparuar në të njëjtin ritëm. Nga debutimi me Spanjën në vitin 2020, ai u bë titullar në turnetë e mëdhenj, përjetoi suksesin evropian dhe tashmë është pjesë e skuadrës që fitoi Kupën e Botës në vitin 2026. Çmimi Yashin është një tjetër dëshmi e këtij rrugëtimi.

Simón ka vazhduar të tregojë se gabimet janë pjesë e lojës, por nuk duhet të përcaktojnë një karrierë të tërë. Episodi ndaj Kosovës mbetet një moment i veçantë për tifozët dardanë dhe për Besar Halimin, por sot portieri spanjoll qëndron në majën e futbollit botëror.

Simon, një jetë me një klub

Ai vetë e ka shprehur lidhjen e fortë me klubin e tij, duke thënë se dëshiron të bëhet portieri më i mirë në botë duke luajtur për Athleticun. Me trofeun Yashin në duar, kjo dëshirë tashmë është realizuar. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.