Forumi i Grave Gjyqtare të Republikës së Kosovës është anëtarësuar si shoqatë me të drejta të plota në Asociacionin Ndërkombëtar të Grave Gjyqtare (IAWJ).
KGjK tha se anëtarësimi në këtë organizatë ndërkombëtare përbën një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave me gjyqtare nga vende të ndryshme të botës, si dhe për promovimin e kontributit të gjyqtareve të Kosovës në forcimin e institucioneve demokratike, drejtësisë, barazisë dhe sundimit të ligjit.
“Me hapjen e kapitullit të Republikës së Kosovës në kuadër të IAWJ-së, ku janë të përfaqësuara 143 shtete nga mbarë bota, gjyqtaret e Kosovës forcojnë praninë dhe përfaqësimin e tyre në organizatat ndërkombëtare të gjyqësorit dhe krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim profesional në nivel ndërkombëtar.
Ky anëtarësim përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e rolit të grave gjyqtare dhe në fuqizimin e kontributit të tyre në promovimin e vlerave të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, si në nivel vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.”

