Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut ka takuar presidenten e këtij vendi,Gordana Siljanovska-Davkova.
Haxhiu ka thënë se në takim kanë diskutuar për marrëdhëniet e mira fqinjësore, situatën e sigurisë dhe rrugën euroatlantike.
“Biseduam për marrëdhëniet e mira fqinjësore, që mbështeten në respektin e ndërsjellë. Lidhjet e gjalla dhe të çmueshme ndërmjet qytetarëve tanë janë pasuria më e madhe e këtyre marrëdhënieve. Diskutuam gjithashtu për sigurinë në rajon dhe për rrugën euroatlantike të dy vendeve. Kosova e përkrah përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian dhe e vlerëson mbështetjen e saj për integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, Haxhiu ka takuar edhe homologun, Afrim Gashi.

