KORREKT / SOT27 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Supremja ia rrëzon ankesën Blerim Isufajt për shkarkimin nga detyra e Kryeprokurorit

Supremja ia rrëzon ankesën Blerim Isufajt për shkarkimin nga detyra e Kryeprokurorit

Gjykata Supreme ia ka refuzuar ankesën Blerim, ndaj vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, lidhur me largimin e tij nga pozita e kryeprokurorit.

Nga gjykata thuhet edhe se, ligjshmëria e këtij vendimi i nënshtrohet kontrollit gjyqësor në procedurën e konfliktit administrativ, para gjykatës me kompetencë lëndore, sipas legjislacionit në fuqi.

“Gjatë vlerësimit, Gjykata ka marrë parasysh natyrën juridike të vendimit të kontestuar, bazën ligjore mbi të cilën është nxjerrë dhe procedurën në kuadër të së cilës është marrë, duke ardhur në përfundimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për shqyrtimin e ankesës nga Gjykata Supreme në kuadër të kompetencës së veçantë të përcaktuar me nenin 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, thuhet në komunikatë.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

Gjykata Supreme e Kosovës e hedh si të palejuar ankesën kundër vendimit të KPK-së, për largimin e Kryeprokurorit nga pozita udhëheqëse

Prishtinë, 27 tetor 2026 – Gjykata Supreme e Kosovës, në seancën e kolegjit të mbajtur më 27 tetor 2026, ka nxjerrë aktvendim me të cilin e ka hedhur si të palejuar ankesën e B.I., Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të paraqitur kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), nr. 695/2026, të datës 2 tetor 2026, lidhur me largimin e tij nga pozita udhëheqëse.

Pas shqyrtimit të lejueshmërisë së ankesës, në kuptim të nenit 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe në lidhje me dispozitat përkatëse të Ligjit për Konfliktet Administrative, Gjykata Supreme ka konstatuar se ankesa është e palejuar.

Gjatë vlerësimit, Gjykata ka marrë parasysh natyrën juridike të vendimit të kontestuar, bazën ligjore mbi të cilën është nxjerrë dhe procedurën në kuadër të së cilës është marrë, duke ardhur në përfundimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për shqyrtimin e ankesës nga Gjykata Supreme në kuadër të kompetencës së veçantë të përcaktuar me nenin 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Sipas vlerësimit të kolegjit të Gjykatës Supreme, fakti që një vendim i Këshillit sjell ndërprerjen e ushtrimit të funksionit ose pozitës udhëheqëse të kryeprokurorit nuk përcakton, në vetvete, natyrën disiplinore të atij vendimi.

Që një vendim të cilësohet si disiplinor, kërkohet që, për nga përmbajtja dhe procedura e zhvilluar, ai të ketë për objekt konstatimin e përgjegjësisë disiplinore dhe përcaktimin e pasojave juridike që rrjedhin nga kjo përgjegjësi, në përputhje me dispozitat përkatëse të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Në rastin konkret, Gjykata Supreme ka vlerësuar se vendimi i KPK-së për largimin e kryeprokurorit nga pozita udhëheqëse është nxjerrë në bazë të nenit 22, paragrafit 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pa u konstatuar përgjegjësia disiplinore e ankuesit.

Për këtë arsye, vendimi i kontestuar, për nga natyra e tij juridike, përbën akt individual me karakter administrativ dhe jo vendim disiplinor në kuptim të ligjit përkatës.

Rrjedhimisht, ligjshmëria e këtij vendimi i nënshtrohet kontrollit gjyqësor në procedurën e konfliktit administrativ, para gjykatës me kompetencë lëndore, sipas legjislacionit në fuqi. Ky vlerësim mbështetet në nenet 1, 4 dhe 10, paragrafi 2, të Ligjit për Konfliktet Administrative, si dhe në këshillën juridike të dhënë në vetë vendimin e kontestuar.

Për këto arsye, duke qenë se nuk ekziston bazë e mjaftueshme ligjore për ushtrimin e kompetencës së veçantë të Gjykatës Supreme, të përcaktuar me nenin 15 të Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, kolegji i Gjykatës Supreme ka vendosur që ankesën e ankuesit ta hedhë si të palejuar. /Zëri

Vendimin e plotë të Supremes mund ta lexoni KËTU.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.