Ndeshja mes Anglisë dhe Republikës së Irlandës në Botërorin U-15 në Azerbajxhan u ndërpre pasi futbollistët anglezë braktisën fushën, duke pretenduar se një lojtar irlandez kishte bërë një fyerje raciste. FIFA ka nisur hetimet për zbardhjen e incidentit.
Një episod i rëndë shënoi përballjen mes Anglisë dhe Irlandës në Kampionatin Botëror U-15, që po zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit.
Ngjarja ndodhi në minutat e fundit të takimit, kur Irlanda ishte në epërsi 4-1. Pas një ndërhyrjeje në fushë, lojtari me numrin 10 i Irlandës dhe futbollisti anglez me numrin 7 u përfshinë në një debat të ashpër.
Sipas raportimeve, gjatë përplasjes dyshohet se është përdorur një fyerje raciste ndaj futbollistit anglez. Situata u tensionua shpejt, me disa lojtarë të të dyja skuadrave që u përfshinë në debat dhe pati edhe shtyrje mes tyre.
Anglia refuzon ta vazhdojë ndeshjen
Pas incidentit, futbollisti anglez iu drejtua bankinës për të informuar stafin teknik mbi atë që pretendonte se kishte ndodhur. Përzgjedhësi i Anglisë, Matt Thorpe, vendosi më pas t’i thërriste lojtarët e tij për t’u larguar nga fusha.
Takimi nuk rifilloi dhe arbitri e ndërpreu përfundimisht ndeshjen, në një moment kur Irlanda kryesonte 4-1.
Sipas raportimeve, futbollisti irlandez i akuzuar e ka mohuar pretendimin, duke thënë se kishte përdorur një fjalë tjetër nga ajo që pretendohej se ishte dëgjuar.
FIFA i nis hetimet për incidentin
FIFA konfirmoi se është në dijeni të ngjarjes dhe se ka nisur mbledhjen e raporteve zyrtare të ndeshjes.
“FIFA është në dijeni të një incidenti në ndeshjen e Botërorit dhe Festivalit U-15 mes Anglisë dhe Republikës së Irlandës. Ndeshja u ndërpre nga arbitri pas refuzimit të Anglisë për të vazhduar”, thuhet në deklaratën e institucionit.
FIFA bëri të ditur gjithashtu se rasti do t’i referohet Komisionit të Pavarur Disiplinor, i cili do të vendosë për hapat e mëtejshëm pasi të shqyrtojë raportet përkatëse.
Për momentin, nuk ka një vendim përfundimtar dhe as konfirmim zyrtar se fyerja raciste ka ndodhur. Hetimet do të përcaktojnë përgjegjësitë e mundshme dhe nëse do të ketë masa disiplinore.
Botërori i parë U-15 i organizuar nga FIFA po zhvillohet në Azerbajxhan nga 24 deri më 30 tetor 2026. Turneu ka një format të veçantë, me tetë futbollistë për skuadër dhe dy pjesë nga 20 minuta. /Zëri

