Kanali zyrtar televiziv i Real Madridit ka reaguar pas triumfit të Harry Kane në garën për Topin e Artë, duke e vlerësuar si të merituar fitoren e sulmuesit anglez përpara Kylian Mbappes.
Sulmuesi i Bayern Munichut u shpall lojtari më i mirë i sezonit të kaluar, duke përfunduar përpara yllit francez të Real Madridit në votimin për çmimin prestigjioz.
Ceremonia u transmetua drejtpërdrejt nga Real Madrid TV, ku u ndoq edhe momenti kur legjenda braziliane Ronaldo Nazario shpalli fituesin e çmimit.
Pavarësisht se shpresat e tifozëve madrilenë ishin të lidhura me Mbappen, prezantuesi i kanalit zyrtar të klubit spanjoll e pranoi rezultatin dhe uroi Kane për triumfin.
“Shpresat e tifozëve të Real Madridit, natyrisht, ishin te Kylian Mbappe. Epo, parashikimet dolën të sakta. Prandaj, urime lojtarit të Bayern Munichut! Urime reprezentuesit të Anglisë!”, deklaroi prezantuesi.
Ai gjithashtu theksoi se Mbappe do të ketë sërish mundësi për ta fituar këtë çmim në të ardhmen, duke vlerësuar se Kane e meritonte triumfin.
“Sa i përket Kylian Mbappes, momenti i tij do të vijë përsëri. Urime Harry Kane. Kylian Mbappe kishte argumente të forta për ta fituar çmimin, por triumfi i Kane është padyshim i merituar”, u shpreh ai.
Në fund, prezantuesi e cilësoi sulmuesin anglez si një futbollist të jashtëzakonshëm, duke vlerësuar karrierën e tij.
“Harry Kane është një lojtar fantastik me një karrierë të jashtëzakonshme”, përfundoi ai./Telegrafi/

