Për herë të parë në historinë e saj, ceremonia e ndarjes së çmimeve të “Topit të Artë” po mbahet në Londër, larg Parisit, ku ishte organizuar në gjashtë edicionet e fundit.
Ceremonia e organizuar nga France Football dhe UEFA po zhvillohet në “London Palladium”, në zonën West End të kryeqytetit anglez, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në historinë e këtij çmimi prestigjioz.
Zhvendosja nuk lidhet me zhvillimet e fundit shoqërore në Paris dhe as me mundësinë që çmimin ta fitojë sulmuesi anglez Harry Kane. Vendimi ishte marrë më shumë se një vit më parë dhe lidhet kryesisht me 70-vjetorin e Topit të Artë, si dhe me dëshirën për t’i bërë homazh fituesit të parë të tij, Stanley Matthews.
Në vitin 1956, Matthews u shpall fituesi i parë i këtij çmimi, në moshën 41-vjeçare. Deri më sot, ai mbetet futbollisti më i moshuar që e ka fituar Topin e Artë.
Organizimi i ceremonisë në Londër shihet gjithashtu si një mundësi për ta zgjeruar më tej shtrirjen ndërkombëtare të çmimit. Pas gjashtë edicioneve radhazi në “Theatre du Chatelet” në Paris, ndryshimi i vendit të organizimit synon t’i japë ceremonisë një dimension më të gjerë ndërkombëtar.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse kjo zhvendosje do të shënojë fillimin e një tradite të re, me ceremoninë që do të organizohet edhe në qytete të tjera, apo nëse Parisi do të mbetet sërish vendi kryesor i saj në vitet e ardhshme.
Londra ofron edhe një simbolikë të veçantë për këtë edicion. Harry Kane, i lindur në kryeqytetin anglez dhe njëri prej favoritëve pas sezonit të tij me Bayern Munichun, është në garë për çmimin përballë emrave si Kylian Mbappé, Lamine Yamal dhe fituesi në fuqi, Ousmane Dembélé.
Në rast të triumfit, Kane do të bëhej anglezi i parë që fiton Topin e Artë që nga Michael Owen, i cili e fitoi këtë çmim në vitin 2001. /Telegrafi/

