Një 34-vjeçar shqiptar, i kërkuar nga autoritetet italiane që prej vitit 2019, është arrestuar në aeroportin e Madridit, pas më shumë se një dekade në arrati.
Ai duhet të vuajë 6 vjet e 10 muaj burgim, për vepra penale që lidhen me trafikun e narkotikëve, si dhe të paguajë një gjobë prej 64 mijë eurosh, raportojnë mediat italiane.
Arrestimi u krye më 22 tetor 2026, gjatë një kontrolli kufitar në aeroportin Madrid-Barajas, në bazë të një urdhër-arresti evropian.
Operacioni ishte rezultat i hetimeve të Policisë së Riminit, në bashkëpunim me strukturat qendrore dhe shërbimet ndërkombëtare të bashkëpunimit policor, në kuadër të projektit “Wanted 3”, që synon kapjen e personave të arratisur edhe jashtë Italisë, shkruan La Milano.
Sipas hetimeve, shqiptari ishte shpallur i pakapshëm që nga viti 2015 dhe kishte ndryshuar të dhënat personale, duke siguruar edhe një pasaportë të re shqiptare për të shmangur identifikimin nga autoritetet, transmeton Telegrafi.
Hetuesit arritën të zbulojnë identitetin e tij të ri dhe të gjurmojnë lëvizjet deri në Spanjë.
Çështja lidhet me operacionin antidrogë “Moon Light”, të zhvilluar në Rimini më 10 tetor 2012 kundër një grupi të dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës dhe hashashit.
Gjatë atij operacioni, 34-vjeçari ishte arrestuar së bashku me dhjetë persona të tjerë, pasi iu gjetën rreth një kilogram heroinë.
Më 19 shkurt 2019, Prokuroria e Riminit lëshoi urdhrin për vuajtjen e dënimit të formës së prerë.
Pas arrestimit në Madrid, shqiptari pritet t’u dorëzohet autoriteteve italiane për të vuajtur dënimin./Telegrafi/

