Dallimet në çmimet e karburanteve po nxisin shoferët në zonat kufitare të Zvicrës të furnizohen në vendet fqinje, aty ku çmimet janë më të favorshme.
Në jug të vendit, pranë kufirit me Italinë, shoferët zviceranë po kalojnë kufirin për benzinë më të lirë, ndërsa në veri, në zonën kufitare me Gjermaninë, po ndodh e kundërta.
Sipas një reportazhi të televizionit publik zviceran SRF, në Vacallo, në kantonin e Ticinos, pranë kufirit italian, pikat e karburantit po përballen me më pak klientë, pasi ulja e përkohshme e taksës mbi karburantet në Itali e ka bërë furnizimin atje më ekonomik.
Diferenca e çmimit arrin në afro 20 centë për litër, çka mundëson kursim prej të paktën 10 frangash për një mbushje të rezervuarit, transmeton Telegrafi.
Disa banorë të zonës e shfrytëzojnë rastin për të kombinuar furnizimin me karburant me blerjet javore në Itali, ku produktet në supermarkete shpesh kushtojnë më pak.
Shoferët thonë se situata ka ndryshuar krahasuar me të kaluarën, kur shumë italianë kalonin në Zvicër për të blerë karburant më të lirë.
Tani, për shkak të ndryshimeve në taksa dhe çmime, udhëtimet për furnizim po bëhen në drejtimin e kundërt.
Ndërkohë, në Kreuzlingen, në kantonin Thurgau, pranë kufirit gjerman, benzina në anën zvicerane mund të kushtojë deri në 30 centë më pak për litër sesa në Gjermani. Kjo po tërheq shoferë gjermanë drejt pikave zvicerane të karburantit.
Sipas SRF-së, çmimet e karburanteve në Zvicër reagojnë më ngadalë ndaj ndryshimeve të tregut, duke krijuar periudha kur furnizimi në njërën anë të kufirit është dukshëm më i leverdishëm se në tjetrën.
Këto zhvillime tregojnë se ndryshimet në taksa dhe çmimet e karburanteve po ndikojnë drejtpërdrejt në sjelljen e shoferëve në zonat kufitare, ku një udhëtim i shkurtër përtej kufirit mund të sjellë kursime të konsiderueshme./Telegrafi/

