KORREKT / SOT25 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Nga Shkupi në Tiranë, historia e familjes hebreje që gjeti shpëtim te shqiptarët

Nga Shkupi në Tiranë, historia e familjes hebreje që gjeti shpëtim te shqiptarët

Historia e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore mbetet një kapitull që ende nuk njihet sa duhet në Evropë dhe në botë.

Ish-ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, synon ta sjellë këtë histori para publikut përmes dokumentarit “Shpëtimi i Enit”, i cili rrëfen përvojën e një familjeje hebreje të shpëtuar nga përndjekja naziste me ndihmën e shqiptarëve.

“Motivi kryesor që kam pasur lidhet me faktin se kam qenë shumë i impresionuar nga ajo që kanë bërë njerëzit në vendin tuaj para më shumë se 80 vitesh. Mendova se këtë duhet ta dinë më shumë njerëz në botë”, është shprehur Borchardt për Deutsche Welle.

Dokumentari sjell historinë e Enit, e cila ishte vetëm gjashtë vjeçe kur familja e saj u detyrua të largohej nga Shkupi, në mars të vitit 1943, pas arrestimeve masive të hebrenjve nga autoritetet bullgare në Maqedoninë e Veriut.

Familja arriti të largohej nga Shkupi, kaloi përmes Kaçanikut dhe më pas mbërriti në Tiranë, ku gjeti strehim dhe mbrojtje nga shqiptarët.

Pas shumë vitesh, Eni u kthye në vendet që lidhen me fëmijërinë e saj, duke takuar pasardhësit e familjeve shqiptare që ndihmuan në shpëtimin e saj dhe të familjes. Udhëtimi shërbeu për të rikujtuar ngjarjet e asaj kohe dhe për të shprehur mirënjohjen ndaj njerëzve që rrezikuan për t’i mbrojtur.

Borchardt, i cili e shoqëroi Enin gjatë këtij udhëtimi, tregoi se rikthimi në disa prej vendeve të së kaluarës ishte veçanërisht emocional.

“Mendoj se jo vetëm për Enin, por për të gjithë ne ishte diçka shumë emocionale. Për shembull, kur ishim në fabrikën e duhanit, ku ishte kampi i përqendrimit, nuk mund të filmonim, pasi Eni qau me dënesë. Pas kësaj kuptova gëzimin e saj të madh kur takoi pasardhësit e atyre që e shpëtuan”, ka deklaruar ai.

Eni rrëfen se, pasi familja mbërriti në Tiranë, gjeti strehim te Zyhra Kasapi dhe djali i saj, Hamdiu. Kur gjermanët nisën kërkimet për hebrenjtë, Hamdi Kasapi i fshehu ata në Zall-Herr, pranë Tiranës, ku familja qëndroi larg rrezikut.

Shqipëria u bë strehë për hebrenjtë që kërkonin t’i shpëtonin përndjekjes naziste. Përveç rrethanave që mundësuan fshehjen e tyre, një rol të rëndësishëm luajti edhe ndihma e popullsisë vendase, e cila në shumë raste rrezikoi për të mbrojtur familjet hebreje.

Familja e Enit qëndroi edhe katër vjet në Shkup pas përfundimit të luftës, përpara se të kthehej në Izrael në vitin 1948. Ndërkohë, familja e Hamdi Kasapit është nderuar nga Izraeli me titullin “Të Drejtë mes Kombeve”, një vlerësim që u jepet personave që rrezikuan jetën për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit.

Dokumentari “Shpëtimi i Enit” nuk trajton vetëm përndjekjen dhe arratisjen, por edhe humanizmin dhe guximin e njerëzve që vendosën të mbronin të tjerët, pavarësisht rrezikut.

Për Borchardt, mesazhi i kësaj historie shkon përtej përkatësisë fetare dhe kombëtare.

“Besoj se kjo tregon se bëhet fjalë për njerëz, jo për myslimanë, hebrenj, të krishterë apo diçka tjetër. Ky është për mua mesazhi kryesor nga historia e Enit: se bëhet fjalë për njerëz të mirë apo të këqij dhe se mund të jesh njeri i mirë edhe kur ke presion nga diku tjetër”, ka thënë ai.

Eni, tashmë në moshë të shtyrë, dëshiron që historia e saj të përcillet te brezat e rinj, bashkë me mirënjohjen për shqiptarët që ndihmuan familjen e saj të mbijetonte gjatë një prej periudhave më të errëta të historisë evropiane./Deutsche Welle

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.