Situata te Kryesia e Kuvendit dhe para Kryeministrisë në Tiranë ka agravuar në përplasje të dhunshme, pasi protestuesit kanë hedhur sërish gurë dhe kapsolla në drejtim të forcave të rendit.
Për të shpërndarë turmën, policia ka ndërhyrë duke përdorur gaz lotsjellës.
Edhe pse protestuesit janë shpërndarë përkohësisht pas ndërhyrjes, një pjesë e tyre janë rikthyer më pas në zonë, duke vazhduar hedhjen e gurëve dhe mjeteve piroteknike drejt efektivëve. Disa persona janë shoqëruar por ende nuk dihet një numër i saktë.
Tensione janë shënuar gjithashtu mes gazetarëve dhe forcave të policisë. Mediat janë kërkuar të spostohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa gazetarët kanë kërkuar shpjegime për këtë urdhër, pa mundur të marrin një përgjigje zyrtare nga autoritetet, raporton Euro News.
Zona vijon të mbetet nën një tension të lartë dhe me prani të shtuar të forcave të sigurisë.
Protestuesit djegin karriget e dialogut para Kryeministrisë në Tiranë

