Situata te Kryesia e Kuvendit dhe para Kryeministrisë ka agravuar në përplasje të dhunshme, pasi protestuesit kanë hedhur sërish gurë dhe kapsolla në drejtim të forcave të rendit.
Për të shpërndarë turmën, policia ka ndërhyrë duke përdorur gaz lotsjellës. Edhe pse protestuesit janë shpërndarë përkohësisht pas ndërhyrjes, një pjesë e tyre janë rikthyer më pas në zonë, duke vazhduar hedhjen e gurëve dhe mjeteve piroteknike drejt efektivëve. Disa persona janë shoqëruar por ende nuk dihet numri i saktë i tyre.
Tensione janë shënuar gjithashtu mes gazetarëve dhe forcave të policisë. Mediat janë kërkuar të spostohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa gazetarët kanë kërkuar shpjegime për këtë urdhër, pa mundur të marrin një përgjigje zyrtare nga autoritetet.
Zona vijon të mbetet nën një tension të lartë dhe me prani të shtuar të forcave të sigurisë, raporton Euronews.al.
Protesta sot (25.10.2026) në Shqipëri ka nisur në orën 14:00, sipas paralajmërimeve të bëra më parë dhe fillimisht situata ishte e qetë dhe pa probleme.
Tash e 12 ditë Shqipëria po përballet me protesta të dhunshme, nga ajo që nisi si protestë e studentëve. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Vetëm mbrëmë pas protestës, 23 persona u arrestuan, 13 të tjerë janë proceduar penalisht dhe 30 janë shpallur në kërkim.
Si pasojë e përplasjeve, disa punonjës policie mbetën të plagosur dhe morën ndihmë mjekësore.
Një 28 vjeçar u plagos mbrëmë rëndë në sy gjatë protestës së dhunshme në Tiranë. Ai është bërë e ditur se është dërguar në Itali për trajtim.
Nga ana tjetër kryeministri Rama ka prezantuar pakon e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane.
Paketa përbëhet nga gjashtë instrumente që parashikojnë dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara, përgjegjësi financiare për shkaktarët e dëmeve dhe ndryshime në ligjin për tubimet dhe Kodin Penal. Masat përfshijnë gjoba deri në 500 mijë lekë për persona që qëndrojnë në tubime ku ushtrohet dhunë, edhe pas paralajmërimeve të policisë, si dhe sanksione për mosbindjen ndaj urdhrave të saj.

