Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë Albana Koçiu ka reaguar për lëndimin e të riut nga Elbasani gjatë protestës, duke e cilësuar ngjarjen si një kambanë alarmi për pasojat e rënda të dhunës.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se dhuna nxitet nga inatet e vjetra politike dhe si e tillë është kthyer në rrezik serioz për jetën e vetë protestuesve dhe qytetarëve.
“Lëndimi i të riut nga Elbasani është një kambanë alarmi për pasojat e rënda që sjell dhuna në protesta. Është e papranueshme që një ngjarje e tillë të shfrytëzohet për propagandë dhe për të justifikuar vijimin e kësaj rruge pa krye”.
Koçiu shtoi se qeveria është angazhuar maksimalisht për të garantuar trajtimin e të riut në një spital në Itali, si dhe transportimin e tij me avion mjekësor.
“Koha e atyre që kërkojnë të shkatërrojnë gjithçka që po ndërtojmë me aq mund, po mbaron. Drita e Shqipërisë sot është shumë herë më e madhe se errësira e tyre”.
Erjon Vishkulli u plagos në sy nga një plumb gome gjatë protestës. Plumbi ndodhet ende në syrin e tij të majtë, ndërsa shpresa tashmë është te mjekët dhe një ndërhyrje më e specializuar. 28-vjeçari është dërguar për trajtim të specializuar në Itali.

