Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, është shprehur tejet i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij në triumfin ndaj Prishtinës, duke theksuar se fitorja erdhi me meritë të plotë falë zbatimit të përpiktë të detyrave taktike dhe karakterit të treguar në fushë.
Pas ndeshjes ku skuadra e tij shënoi tri herë, Nuhiu theksoi për Klan Kosova se plani kryesor ishte të mos lejohej kundërshtari të impononte lojën e tij.
Definitivisht një ndeshje me shumë personalitet nga futbollistët. Pa diskutim që në aspektin taktik mendoj që nuk i lejuam skuadrës kundërshtare të mbajë topin, sepse e dimë që e ka bërë shumë mirë gjatë kësaj periudhe. Treguan shumë karakter, shumë grindë, me shumë përgjegjësi dhe mendoj që me plot meritë e fituam takimin“, tha Nuhiu.
Ky triumf shënon fitoren e tretë radhazi për Dritën, duke konfirmuar formën në rritje të ekipit pas një starti me disa luhatje në fillim të rikthimit të Nuhiut në krye të pankinës.
I pyetur mbi harmoninë dhe përshtatjen e ekipit me filozofinë e tij, trajneri shpjegoi procesin e ndryshimit brenda grupit.

