KORREKT / SOT25 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Kthimi i Ligjit nga Presidentja, kompetencat e Kuvendit dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese KO57/12

Kthimi i Ligjit nga Presidentja, kompetencat e Kuvendit dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese KO57/12

Shkruan: Ardian Bajraktari

Rasti i kthimit për rishqyrtim të Ligjit nr. 11/L-001, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar e rikthen në vëmendje një çështje me rëndësi kushtetuese, atë se deri ku shtrihen kompetencat e Kuvendit pas kthimit të një Ligji nga Presidenti/ja dhe a mund të ndryshohet teksti i tij për t’i adresuar arsyet e kthimit?

Përgjigjja kërkon interpretimin e neneve 80, dhe 84, të Kushtetutës, si dhe analizën e Aktgjykimit KO57/12, të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse ky i fundit duhet analizuar në kontekstin e çështjes që e ka trajtuar, e që në raport me situaten aktuale dallon.

1. Çfarë përcakton Kushtetuta për kthimin e ligjeve?

Neni 84, paragrafi 6, i Kushtetutës ia njeh Presidentes kompetencën për t’i kthyer ligjet e miratuara nga Kuvendi për rishqyrtim, kur e vlerëson se ato janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një apo më shumë komuniteteve.

Ndërkaq, neni 80, paragrafi 3, përcakton se Presidentja, kur e kthen një ligj, duhet t’i paraqesë arsyet e kthimit dhe se këtë të drejtë mund ta ushtrojë vetëm një herë për një ligj.

Pas kthimit, Kuvendi vendos për ligjin në përputhje me nenin 80, paragrafi 4, i cili përcakton shumicën e kërkuar për miratimin e ligjit të kthyer.

Këto dispozita përcaktojnë dy kufij të rëndësishëm kushtetues.

E para, Presidentja nuk mund ta përdorë kompetencën e kthimit për qëllime që tejkalojnë autorizimin kushtetues. Kjo kompetencë duhet të lidhet me arsyet e përcaktuara në Kushtetutë dhe të ushtrohet përmes një vendimi të arsyetuar.

E dyta, Kuvendi nuk lirohet nga detyrimi për ta respektuar procedurën vetëm pse ligji është kthyer për rishqyrtim. Vendimmarrja parlamentare duhet të mbështetet në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Kuvendit.

Prandaj, kthimi i ligjit nuk është as veto përfundimtare e Presidentes dhe as autorizim për Kuvendin që të veprojë jashtë procedurave përkatëse.

2. Rasti KO57/12: Kufijtë e kompetencave kushtetuese

Aktgjykimi KO57/12, i 20 shtatorit 2012, i referohet procedurës së miratimit të Ligjit nr. 04/L-084, për Pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe me raportin kushtetues ndërmjet Presidentes dhe Kuvendit, përkatësisht faktit që Presidentja e pati kthy Ligjin, duke propozuar një amandament.

Rëndësia e këtij rasti qëndron në trajtimin e procedurës parlamentare pas ndërhyrjes së Presidentes. Në këtë rast, Kuvendi kishte votuar amendamentin e propozuar nga Presidentja, në vend që të votonte për rikonfirmimin e ligjit fillestar në tërësi, dhe Gjykata Kushtetuese nuk e konstatoi shkelje të nenit 80, paragrafi 4, të Kushtetutës nga procedura që ishte ndjekur.

3. Rasti aktual: ngjashmëritë dhe dallimet me Rastin KO57/12

Me Vendimin nr. 10/2026, të 22 tetorit 2026, Presidentja e Republikës së Kosovës e ka kthyer për rishqyrtim Ligjin nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ngjashmëria me rastin KO57/12, qëndron në raportin kushtetues ndërmjet Presidentes dhe Kuvendit, si dhe në përcaktimin e procedurës që duhet ndjekur pas kthimit të ligjit.

Dallimi qëndron te rrethanat konkrete dhe te çështjet që duhet të trajtohen në procedurën aktuale.

Në rastin e vitit 2012, Gjykata shqyrtoi një situatë konkrete procedurale dhe vlerësoi pajtueshmërinë e saj me Kushtetutën. Në rastin aktual, çështja qendrore është se si duhet të veprojë Kuvendi pas kthimit të ligjit dhe, në veçanti, nëse mund të propozojë ndryshime për t’i adresuar arsyet e paraqitura nga Presidentja.

Ky dallim është vendimtar. Rasti KO57/12, mund të shërbejë si pikë referimi për interpretimin kushtetues, por zbatimi i tij nuk mund të bëhet me automatizëm, pa u analizuar natyra e procedurës dhe dispozitat përkatëse.

4. A janë konkretizuar arsyet e kthimit të ligjit?

Në vendimin për kthimin e ligjit aktual, Presidentja i referohet disa çështjeve që lidhen me interesat shtetërore dhe funksionimin e institucioneve, ndër të cilat: bashkërendimi i veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike; mbrojtja dhe afirmimi i së vërtetës historike për Luftën Çlirimtare të Kosovës; mbrojtja e të drejtave dhe interesave të krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara; rishqyrtimi i dispozitave që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me të drejtat kushtetuese të personave që gjykohen para tyre.

Këto çështje kanë rëndësi institucionale, historike, diplomatike dhe juridike. Megjithatë, për qëllimet e procedurës kushtetuese, rëndësi ka jo vetëm pesha e çështjeve të ngritura, por edhe lidhja e tyre konkrete me dispozitat e ligjit të kthyer.

Nga analizimi i vendimit të Presidentes, mungon identifikimi i hollësishëm i neneve që konsiderohen problematike dhe nuk ka as shpjegim të plotë se si dispozitat përkatëse mund t’i cenojnë interesat legjitime të Republikës ose të ndonjërit prej komuniteteve.

Ndonëse mungesa e një arsyetimi të hollësishëm në vendimin e Presidentes nuk mjafton, në vetvete, për të përfunduar se vendimi është jokushtetues. Megjithatë, ngriten dilema dhe shqetësime lidhur me çështjen e konkretësisë së arsyetimit në drejtim të përmbushjes së kërkesës kushtetuese për paraqitjen e arsyeve të kthimit të Ligjit.

Megjithatë arsyet e kthimit duhet të shërbejnë si pikënisje për një rishqyrtim të ligjit, jo të mbeten vetëm deklarime të përgjithshme pa u lidhur me çështjet konkrete që kërkojnë trajtim nga Kuvendi.

5. A mund ta ndryshojë Kuvendi ligjin e kthyer?

Kjo është çështja kryesore që duhet të marrë përgjigje në procedurën aktuale.

A e detyron kthimi i ligjit Kuvendin që vetëm ta rivotojë tekstin ekzistues, apo Kuvendi mund të ndërhyjë në përmbajtjen e tij për t’i adresuar vërejtjet e Presidentes?

Sipas interpretimit që mund të mbështetet në nenet kushtetuese, Rregulloren e Kuvendit, si dhe analizën e Rastit KO57/12, ky aktgjykim nuk duhet parë si pengesë për ndryshim të ligjit pas kthimit të tij. Megjithatë, as nuk mund të nxirret përfundime se Kuvendi ka kompetencë të pakufizuar për të ndryshuar ligjin në këtë fazë.

Përgjigjja kërkon dallimin ndërmjet dy çështjeve juridike.

E para: nëse Kushtetuta e lejon që gjatë rishqyrtimit të një ligji të kthyer, të propozohen ndryshime në përmbajtjen e tij.

E dyta: nëse këto ndryshime mund të miratohen përmes procedurës së rishqyrtimit apo nëse, për shkak të natyrës së tyre, duhet të ndiqet procedura e zakonshme legjislative.

Fakti që një ndryshim mund të jetë i arsyeshëm nga pikëpamja përmbajtjesore nuk e zgjidh automatikisht çështjen e procedurës përmes së cilës ai mund të miratohet.

Për këtë arsye, Kuvendi duhet të analizojë përmbajtjen e amendamenteve eventuale, bazën kushtetuese për shqyrtimin e tyre dhe raportin e tyre me procedurën e parashikuar në nenin 80, paragrafët 3 dhe 4, të Kushtetutës.

Po ashtu, duhet të përcaktojë shumicën e kërkuar për vendimmarrje, duke pasur parasysh dispozitat kushtetuese dhe praktikën përkatëse.

Pra, Rasti KO57/12, nuk duhet përdorur as për ta përjashtuar paraprakisht mundësinë e ndryshimit të ligjit, as për ta legjitimuar çdo ndryshim pa një analizë të veçantë kushtetuese.

6. Cila duhet të jetë procedura e mëtejshme në Kuvend?

Kuvendi duhet t’i trajtojë arsyet e kthimit në mënyrë substanciale.

Së pari, komisioni përgjegjës (Komisioni për Legjislacion) duhet t’i analizojë arsyet e paraqitura nga Presidentja dhe t’i identifikojë dispozitat me të cilat ato ndërlidhen.

Së dyti, duhet të vlerësohet nëse këto arsye kërkojnë ndryshime konkrete të ligjit dhe deri në çfarë mase.

Së treti, nëse propozohen ndryshime, duhet të përcaktohet nëse ato mund të shqyrtohen në kuadër të procedurës së kthimit të ligjit apo nëse kërkohet ndjekja e procedurës së zakonshme legjislative, përkatësisht nismë e re legjislative.

Së fundmi, vendimmarrja në Kuvend duhet të jetë e qartë edhe për mënyrën e votimit dhe shumicën e kërkuar, ashtu që nëse ka vullnet, Kuvendi, mund ta trajtojë ligjin e kthyer duke respektuar njëkohësisht kompetencat e Presidentes dhe përgjegjësinë e vet kushtetuese për vendimmarrje, për të cilen nuk ka kufizime, ose nëse duhet shmangie e vetos së Presidentes, ajo bëhet me 61 ota pro dhe mbetet ligji ekzitues.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.