Alexander Volkanovski vazhdon të shkruajë historinë në UFC, pasi mposhti Movsar Evloev me nokaut teknik në raundin e dytë, duke mbrojtur titullin e kampionit në peshat deri 66kg në UFC 333, të zhvilluar në Abu Dhabi.
Kampioni australian e mbylli luftën pak sekonda para se të përfundonte raundi i dytë, pas një kombinimi të fuqishëm goditjesh që e rrëzoi kundërshtarin rus dhe e detyroi gjyqtarin ta ndërpriste përballjen. Kështu, Evloev pësoi humbjen e parë në karrierën e tij profesionale, pas 20 fitoreve radhazi.
Fitorja ishte historike edhe për Volkanovskin, i cili regjistroi triumfin e nëntë në luftërat për titull të kategorisë deri 66kg (Featherweight), duke kaluar legjendën Jose Aldo në këtë statistikë.
Pas eventit, presidenti i UFC, Dana White, e vlerësoi lart paraqitjen e australianit, duke theksuar se Volkanovski jo vetëm që nokautoi një kundërshtar më të ri dhe të pamposhtur, por ishte edhe luftëtari që kërkoi vazhdimisht përfundimin e përballjes.
“Ishte e pabesueshme. Ai është një luftëtar i jashtëzakonshëm. Të vijë këtu dhe të mposhtë në atë mënyrë një kundërshtar më të ri e të pamposhtur… Volkanovski është i pabesueshëm. Ai ishte agresori, ishte ai që e kërkonte përfundimin. Volk është ndërtuar ndryshe”, deklaroi White pas eventit UFC 333.
Në moshën 38-vjeçare, Volkanovski vazhdon të dëshmojë se mbetet një nga emrat më të mëdhenj të historisë së MMA (UFC), duke ruajtur fronin e tij në një divizion që po pretendohet nga një brez i ri luftëtarësh./Klankosova.tv

