Avokati Ardian Bajraktari ka komentuar kthimin për rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nga Presidentja e Kosovës, duke shpjeguar se cilat janë mundësitë e Kuvendit në këtë situatë.
Në një shkrim në Facebook, Bajraktari ka ngritur si çështje kryesore nëse Kuvendi mund ta ndryshojë ligjin për t’i adresuar vërejtjet e Presidentes apo duhet vetëm ta votojë përsëri tekstin ekzistues.
Për ta shpjeguar këtë, ai i është referuar Kushtetutës së Kosovës dhe një vendimi të mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese, të njohur si rasti KO57/12. Ky rast kishte të bënte me një ligj për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas Bajraktarit, vendimi i atëhershëm mund të ndihmojë për ta kuptuar situatën aktuale, por nuk mund të zbatohet automatikisht, pasi bëhet fjalë për raste të ndryshme.
Ai ka ngritur gjithashtu çështjen e arsyeve që Presidentja ka paraqitur për kthimin e Ligjit për Specialen. Sipas tij, në vendim nuk janë sqaruar mjaftueshëm nenet konkrete që konsiderohen problematike dhe mënyra se si ato mund të cenojnë interesat e Kosovës.
Megjithatë, Bajraktari thekson se kjo mungesë e shpjegimeve të hollësishme nuk do të thotë automatikisht se vendimi i Presidentes është në kundërshtim me Kushtetutën.
Sa i përket hapave të mëtejmë, ai vlerëson se Kuvendi duhet t’i shqyrtojë me kujdes arsyet e kthimit të ligjit dhe të vendosë nëse nevojiten ndryshime.
Nëse propozohet ndryshimi i ligjit, sipas tij, duhet të sqarohet nëse këto ndryshime mund të bëhen gjatë rishqyrtimit apo nëse duhet të ndiqet procedura e zakonshme për miratimin e një ligji.
“Rasti KO57/12 nuk duhet përdorur as për ta përjashtuar paraprakisht mundësinë e ndryshimit të ligjit, as për ta legjitimuar çdo ndryshim pa një analizë të veçantë kushtetuese”, ka shkruar Bajraktari.
Ai ka propozuar që Komisioni për Legjislacion t’i shqyrtojë arsyet e Presidentes dhe të përcaktojë se cilat pjesë të ligjit lidhen me to. Më pas, Kuvendi duhet të qartësojë mënyrën e votimit dhe shumicën e nevojshme për vendimmarrje, duke respektuar Kushtetutën.
Pra, çështja kryesore, sipas Bajraktarit, është që Kuvendi të gjejë mënyrën e duhur për ta trajtuar ligjin e kthyer, pa anashkaluar procedurat kushtetuese. /Lajmi.net/

