Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe mbi 2,000 të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre si pasojë e vërshimeve të rënda në verilindje të Argjentinës, njoftojnë autoritetet lokale.
Reshjet e pandërprera të shiut kanë bërë që lumenjtë Parana, Uruguai dhe Iguazu të dalin nga shtrati, duke përmbytur dhjetëra zona përgjatë kufirit me Brazilin, Paraguain dhe Uruguain.
Sipas mediave të huaja, situatë më kritike paraqitet në provincën Chaco, posaçërisht në zonat Puerto Vilelas dhe Barranqueras, ku rreth 1,300 banorë janë evakuuar me urgjencë, transmeton Klankosova.tv.
Zëvendëssekretari provincial i Mbrojtjes Civile, Gustavo Santos, ka paralajmëruar se kriza mund të zgjasë me muaj për shkak të luhatjeve të vazhdueshme të nivelit të ujit.
Gjendje e rënduar është regjistruar edhe në provincën Corrientes, ku mbi 1,000 persona kanë lënë banesat e tyre.
Po në këtë provincë u shënuan edhe viktimat e para: dy punëtorë u mbytën teksa po tentonin të shpëtonin bagëtitë duke i transportuar nga një ishull në tjetrin.
Ndërkohë, në qytetin Paso de la Patria disa lagje u vërshuan plotësisht pas shembjes së një dige nën presionin e ujërave të lumit Parana.
Mbrojtja Civile ka bërë thirrje për vigjilencë maksimale, pasi parashikimet meteorologjike tregojnë reshje të reja në pjesët e sipërme të pellgjeve ujore, çka pritet të rrisë edhe më tej rrezikun e përmbytjeve përgjatë ditëve në vijim.

