Napoli dhe Roma kanë zhvilluar një nga ndeshjet më spektakolare të sezonit, duke barazuar 3-3 në një përballje të mbushur me gola, raste dhe ritëm të jashtëzakonshëm.
Spektakli është fjalë e vogël për atë që treguan të dyja skuadrat në “Derby del Sole”. Vrapim pa ndërprerje për 95 minuta, emocione pa fund dhe gjashtë gola, por asnjëra skuadër nuk arriti të dalë fituese.
Anguissa realizoi një nga golat më të bukur të sezonit me një goditje akrobatike, ndërsa McTominay dyfishoi epërsinë e Napolit. Por Roma nuk u dorëzua dhe reagoi fuqishëm, duke barazuar rezultatin përmes Soule dhe Balerdit.
Kur dukej se gjithçka mund të përfundonte në barazim, McTominay goditi sërish nga distanca për 3-2, duke ndezur edhe një herë stadiumin. Megjithatë, epërsia e Napolit zgjati vetëm gjashtë minuta, pasi Balerdi realizoi golin e dytë personal për Romën dhe vulosi rezultatin përfundimtar 3-3.
Një ndeshje e jashtëzakonshme, me ritëm të lartë dhe emocione deri në sekondat e fundit, që mund të konsiderohet ndër përballjet më të bukura të sezonit në futbollin evropian.
Në xhiron e ardhshme takohen Roma-Cagliari dhe Monza-Napoli.

