Turizmi shëndetësor po shihet si një nga potencialet më premtuese për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke ndërlidhur shërbimet cilësore mjekësore me ofertën turistike dhe mikpritjen vendore. Përveç bukurive natyrore e trashëgimisë kulturore, vendi po tërheq gjithnjë e më shumë pacientë të huaj, të cilët zgjedhin Kosovën për shërbime stomatologjike, estetike e balneare.
Në emisionin "Praktik" në Klan Kosova, u trajtuan mundësitë, kapacitetet dhe sfidat që ka vendi në këtë sektor.
Pacientë nga vende të ndryshme evropiane theksojnë se çmimet e favorshme, stafi i kualifikuar dhe mikpritja janë arsyet kryesore pse vendosin të trajtohen në klinikat kosovare.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, theksoi se ky sektor përfaqëson një industri të integruar që prek drejtpërdrejt hotelerinë, gastronominë dhe logjistikën. Sipas tij, është urgjente hartimi i një strategjie shtetërore dhe forcimi i partneritetit publiko-privat.
Shteti duhet ta kuptojë me seriozitet që kjo degë mund të sjellë përfitime të mëdha. Na nevojitet një partneritet publiko-privat dhe përfshirja e institucioneve në hartimin e një strategjie formale. Çdo ditë që humbim është e pafalshme," tha Rafuna.
Rafuna po ashtu vuri në dukje se rreth 200 milionë euro shpenzohen çdo vit nga qytetarët e Kosovës për trajtime jashtë vendit, një shumë kjo që përmes investimeve në sektorin shëndetësor dhe rregullimit të tregut mund të orientohet brenda vendit.
Nga ana tjetër, kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, kërkoi masa konkrete dhe lehtësira fiskale nga ana e institucioneve, përfshirë zbritjen e normës së TVSH-së për akomodim, e cila aktualisht mbetet 18%.
Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm. Zona e Prevallës mund të shpallet zonë e mbrojtur për turizëm shëndetësor falë rrymave të ajrit, ashtu siç kemi banjat shëruese dhe stomatologjinë me aparatura të standardeve evropiane. Duhet t'u krijohen lehtësira tatimore bizneseve dhe të hartohet një strategji e re promovuese," tha Hoti.
Ekspertët theksojnë se Kosova gëzon një rini të edukuar që flet gjuhë të huaja dhe staf mjekësor profesional, por kërkohet mbështetje institucionale në pajisje moderne dhe infrastrukturë ligjore për ta shndërruar këtë potencial në një burim të qëndrueshëm të ardhurash direkte për ekonominë e vendit.

