Stamboll – Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq, mori pjesë sot në Konferencën e 9-të të Ndërmjetësimit në Stamboll, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë, ku foli për rolin e organizatave rajonale në parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme. Gjatë vizitës së tij në Stamboll, Kapetanoviq u takua gjithashtu me Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Türkiyes dhe Drejtorin për Çështjet e BE-së, Mehmed Kemal Bozay, për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit rajonal, ndërlidhjes dhe zbatimin e prioriteteve të përbashkëta në të gjithë Evropën Juglindore.
Duke folur në panelin “Reflektime nga organizatat rajonale: Sinkronizimi i përpjekjeve”, Kapetanoviq iu referua përvojës së Evropës Juglindore me konfliktet dhe pajtimin, për të theksuar se si dialogu i vazhdueshëm, bashkëpunimi praktik rajonal dhe koordinimi më i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë mund të ndihmojnë në parandalimin e tensioneve, ndërtimin e besimit dhe arritjen e paqes së qëndrueshme.
“Paqja nuk ndërtohet vetëm kur nënshkruhen marrëveshjet. Një marrëveshje paqeje e ndal luftën, por nuk e përfundon punën. Paqja ndërtohet në vitet që pasojnë, kur institucionet vazhdojnë të dialogojnë pavarësisht mospajtimeve, kur njerëzit i shohin fqinjët e tyre me pak më shumë besim, kur udhëheqësit e mbajnë derën e hapur edhe atëherë kur kjo u sjell pak përfitime politike”, tha Kapetanoviq.
Ai rikujtoi se RCC-ja u themelua si një projekt paqeje, i rrënjosur në përvojën e Evropës Juglindore me konfliktet dhe pajtimin, dhe se puna e saj vazhdon të dëshmojë se si bashkëpunimi praktik kontribuon në stabilitet. Nga marrëveshjet për lëvizshmërinë dhe roaming-un, te njohja e kualifikimeve, Tregu i Përbashkët Rajonal dhe nismat që mbështesin të rinjtë dhe gratë sipërmarrëse, bashkëpunimi rajonal krijon interesa të përbashkëta dhe forcon lidhjet ndërmjet njerëzve dhe institucioneve.
“Ky nuk është pajtim në kuptimin abstrakt. Ky është pajtim përmes përvojës. Edhe ndërvarësia i shërben ndërmjetësimit: ajo nuk i zëvendëson bisedimet, por e rrit koston e largimit nga tryeza e negociatave”, theksoi Kapetanoviq. Ai gjithashtu përshëndeti angazhimin afatgjatë të Turqisë në ndërmjetësimin ndërkombëtar, përfshirë Platformën e Paqes për Ballkanin, duke nënvizuar rëndësinë e lidhjes së dialogut politik me mekanizmat rajonalë që e shndërrojnë bashkëpunimin në rezultate konkrete.
E mbajtur nën temën “Partneritete dhe perspektiva të reja për paqen: Ndërmjetësimi në një botë në ndryshim”, Konferenca mblodhi zyrtarë të lartë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe rajonale, ekspertë dhe profesionistë të ndërmjetësimit, për të shkëmbyer përvoja dhe për të shqyrtuar qasje ndaj parandalimit të konflikteve dhe zgjidhjes së tyre paqësore.
Gjatë takimit me Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme Bozay, Kapetanoviq shprehu mirënjohjen për rolin konstruktiv të Turqisë në bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për Strategjinë Evropa Juglindore 2030 (SEE2030), përfshirë kontributin e saj shtesë vullnetar për zbatimin e Strategjisë.
Të dy diskutuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Turqisë dhe Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor, veçanërisht përmes Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, si dhe koordinimin më të ngushtë të politikave në kuadër të SEE2030. Kapetanovië theksoi rëndësinë e shndërrimit të prioriteteve rajonale në përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset, me fokus në rritjen e qëndrueshme ekonomike, tregtinë, investimet, transformimin digjital dhe ndërlidhjen. Në takim u diskutuan gjithashtu mundësitë për përmirësimin e ndërlidhjes ndërmjet Evropës Juglindore dhe rajoneve fqinje, përfshirë nismat e reja të Bashkimit Evropian në kuadër të strategjisë Global Gateway. Kapetanoviq theksoi potencialin e koordinimit më të ngushtë në fushat e transportit, investimeve dhe financimit të zhvillimit për të forcuar konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit ndaj sfidave.
Bozay shprehu mbështetjen e tij për Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe përpjekjet e tij për avancimin e bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore. Të dy shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi situatën aktuale në rajon dhe zhvillimet e vazhdueshme rajonale.

