Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se partia e tij do të thërrasë interpelancë për gjendjen në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë.
Në një konferencë për media, Gjini kritikoi shpenzimet për importin e energjisë elektrike, duke thënë se vetëm gjatë muajit shtator ato kanë arritur në rreth 27 milionë euro.
“Çdo cent që paguhet për energji elektrike del prej xhepave të qytetarëve të Kosovës, qoftë përmes faturave apo përmes pagesave të buxhetit të Kosovës, sepse çdo cent i buxhetit vjen prej qytetarëve dhe taksave që ua merr shteti”, deklaroi Gjini.
Ai tha se prodhimi aktual i energjisë elektrike është rreth 372 megavatë, ndërsa kërkesa në këto momente tejkalon 800 megavatë.
Gjini pati akuza të ashpra edhe për udhëheqjen e sektorit energjetik, të cilën e cilësoi si “mafi energjetike”, duke pretenduar se vendimet e saj kanë dëmtuar sistemin energjetik të Kosovës.
“Udhëheqja e mafisë energjetike, e cila e ka shkatërruar sistemin energjetik të Kosovës, është nyje e lidhur. Nuk ka dalje prej këtu”, u shpreh mes tjerash Gjini./Klankosova.tv

